Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 18:10

Prishtinë-Kryeministri Hashim Thaçi në takim sot me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, diskutuan mbi gjetjen e modaliteteve adekuate për lehtësimin e procesit zgjedhor të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb për votimin e tyre në zgjedhjet paralmentare të Serbisë të parapara të mbahen në muajin maj.

Nga zyra e kryeministrit kosovar bëhet e ditur se, kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e Republikës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës më dyshtetësi për të votuar në zgjedhjet parlamentare. “Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadën e saj në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE-së”, tha Thaçi.

Lidhur me tendencat për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Republikën e Kosovës, Thaçi ritheksoi se një gjë e tillë nuk do të tolerohet, “pasi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu edhe Rezolutën 1244”.
Zannier njoftoi se “OSBE është duke marrë seriozisht në konsideratë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë”, duke shtuar se “një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri kah fundi i kësaj jave”. (LajmeShqip.com)