Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 18:02

 “Kundërshtimet e opozitës nuk janë aspak parimore, por vetëm përpjekje për të shtrembëruar një proces të mirë për Kosovën, me qëllim që të shkaktohen tensione dhe të legjitimohen trazirat e mundshme në Kosovë, për të cilat edhe po përgatiten. Jo vetëm marrëveshja për asociacionin, por të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel i mbyllin rrugë një herë e përgjithmonë përpjekjeve të Serbisë për të ndarë Kosovën dhe e konfirmojnë sovranitetin dhe integritetin e saj. Kurse, kritikat për demarkacionin janë krejtësisht të paqëndrueshme dhe vetëm manipulim i opinionit nga ana e opozitës, sepse edhe vetë kryetarët e Pejës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në projektet për zhvillimin e komunës së Pejës kanë përdorur të njëjtat harta që ka përdorur edhe komisioni për demarkacionin”. Për këto dhe për të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në dialogun me Serbinë në Bruksel, flet për KosovaPress, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

KosovaPress: Tensionet në skenën politike janë rritur dukshëm muajve të fundit dhe shumë çështje të ngritura në opinion kanë nevojë për përgjigje. Gjykata Speciale ishte pikënisje e këtyre tensioneve. Edhe pse janë thënë shumë rreth kësaj, po ia nisim nga kjo… si e vlerësoni pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës, që i hapin rrugë krijimit të saj?

Hashim Thaçi: Kosova ka demonstruar gjithnjë se është anëtare kredibile e bashkësisë ndërkombëtare dhe se jemi të përkushtuar në thellimin e stabilitetit rajonal dhe të përcaktuar që të gjitha çështjet e hapura t’i adresojmë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive. Qytetarët e dinë që opozita gjithnjë mundohet ta dinamizojë aktivitetin e saj politik përmes stimulimit të konflikteve politike e shoqërore dhe përkundër që këto vendime kanë afirmuar pozicionin e Kosovës në botë, për konsum politik të brendshëm i kanë tej-konsumuar dhe kanë abuzuar këto tema.

Qytetari, si gjykatës i paanshëm i veprimeve dhe vendimeve politike, e di se ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga armiqtë e Kosovës që shteti jonë të njolloset me shpifje dhe insinuata nga më të pështirat. Këto shpifje dhe insinuata për vite me radhë kanë rënduar mbi shtetin tonë të ri, i cili në arenën ndërkombëtare është mbështetur nga miq të shumtë. Për t’i hequr këto njolla të zeza, jo vetëm prej neve, por edhe prej të gjithë atyre që e përkrahin projektin e shtetit të Kosovës, Prishtinës zyrtare i është dashur ta marrë një vendim të pakëndshëm, por të drejtë, që të themelojë Gjykatën Speciale.

Kjo është mirëpritur nga miqtë tanë dhe në arenën ndërkombëtare është ci lësuar si gatishmëri e Kosovës për sundim të ligjit dhe drejtësisë, por edhe si dëshmi se Kosova është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova sot shihet me sy krejt tjetër nga përkrahësit dhe miqtë e Kosovës dhe ky imazh vetëm sa po përmirësohet edhe më shumë. Gjithashtu, Kosova sot është shembull i ndërtimit të paqes dhe i tolerancës e bashkëjetesës dhe këto mirënjohje për Kosovën, së fundmi edhe nga Presidenti Obama, nuk janë të rastësishme. Pra, janë pranim i pjekurisë dhe maturisë politike që ka treguar Kosova në muajt e kaluar.

KosovaPress: Pakoja e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, për të cilat ishte e planifikuar të raportohet dje, gjithashtu ka prodhuar pakënaqësi dhe tensione politike. Çfarë përmbajnë realisht këto marrëveshje dhe cilat janë të mirat dhe të këqijat e tyre?

Hashim Thaçi: Nënshkrimi në pako i katër marrëveshjeve të reja në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga bashkësia ndërkombëtare është një hap tjetër shumë i rëndësishëm që ka ndërmarr Qeveria e Kosovës drejt konsolidimit të sovranitetit dhe integritetit të vet dhe përfitimet nga këto marrëveshje janë të shumta.

Me marrëveshjen për telekomunikacionin, Kosova merr kodin telefonik shtetëror 383 nga Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion dhe do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administrojë me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera. Me këtë marrëveshje do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë dhe për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Është manipuluar shumë nga opozita me lejimin e kompanisë së re në t regun tonë, e cila parashihet me marrëveshje, por ky është vetëm një lejim i përkohshëm në një fushëveprimtari të kufizuar, e cila do të regjistrohet sipas ligjeve të Kosovës.

Pra, ajo nuk do të jetë një operator i tretë mobil në Kosovë, siç edhe është trumbetuar nga opozita, por është vetëm një lejim i përkohshëm, sepse për t’u bërë operator i tretë duhet tenderim ndërkombëtar me konkurrencë shumëpalëshe, ashtu siç përcaktohet me ligjet e Republikës së Kosovës.

Me marrëveshjen në telekomunikacion, Kosova ka fituar edhe sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit, sepse kodi telefonik e përcakton sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjen e saj në botë përmes kodit të saj telefonik.

KosovaPress: Keni deklaruar se me marrëveshjen për energjinë, Serbia e ka njohur edhe shtetin e Kosovës. Çfarë përmban kjo marrëveshje? T’ju shkojmë të gjit have me radhë, sepse ka interpretime të ndryshme politike për këto marrëveshje…

Hashim Thaçi: Me marrëveshjen për energjinë, Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës edhe në fushën e transmisionit të energjisë, duke njohur Kosovën si bllok të mëvetësishëm rregullues dhe transmetues të sistemit energjetik ndërkombëtar. Në këtë marrëveshje, Serbia është zotuar që të shuaj të gjithë operatorët e energjisë në veri të Kosovës, obligim ky të cilën e ka zvarritur që nga shtatori 2014 kur është nënshkruar plani për zbatim për energjinë. Gjithashtu, Serbia do të detyrohet të paguajë kompensim për shfrytëzimin e linjave transmetuese energjetike të Kosovës dhe për kongjestionet e krijuara, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe evropiane të energjisë për bashkëpunim mes të shteteve në fushë e transmisionit dhe përfitimet tona vjetor e do të jenë në miliona euro.

KosovaPress: Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe është quajtur si marrëveshje për një nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë. Është quajtur edhe “Zajednicë”. Opozita thotë se ajo “bosnjëzon” Kosovën, kurse opinioni ka nevojë për informacione më konkrete rreth këtij organizimi të komunave serbe. A do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë ky asociacion dhe a ka karakter një-etnik?

Hashim Thaçi: Jo vetëm marrëveshja për asociacionin, por të gjitha këto marrëveshje i mbyllin rrugë një herë e përgjithmonë përpjekjeve të Serbisë për të ndarë Kosovën dhe e konfirmojnë sovranitetin dhe integritetin e saj, si në rrafshin juridik, ashtu edhe në atë sektorial. Por, në rastin konkret, marrëveshja për asociacionin i ka mbyllur der ën edhe përpjekjeve të Serbisë për të krijuar një asociacion jashtë ligjeve të Kosovës.Krijimi i tij është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit. Ky asociacion as nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë as shërbyes civil, por vetëm punonjës të zakonshëm dhe nuk do të mund të ofrojë as shërbime për qytetarët sikur komunat anëtare të saj. Pra, me këtë marrëveshje, shteti i Kosovës e forcon sovranitetin dhe unitaritetin e vet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Asociacioni nuk ka as karakter një-etnik, sepse është asociacion i komunave me shumicë serbe, por në të cilat në bazë të të dhënave zyrtare jetojnë dhe përfaqësohen edhe rreth 15 për qind nga pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë, por edhe komunitete tjera. Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e asociacionit dhe e njëjta vlen edhe për simbolet e tij që duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe të reflektojnë karakterin shumetnik të tij.

Është thënë nga opozita, se asociacioni mund të bëhet edhe pronare e pasurisë publike të Kosovës, por në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronar i pasurisë publike, qoftë të pronësisë në nivelin qendror apo lokal, siç po keqinterpreton me qëllim opozita politike në Kosovë. Pra, asociacioni nuk do të ketë asnjë rol në menaxhimin e pasurisë dhe resurseve natyrore të Kosovës dhe ai mund të bëhet pronar vetëm i pasurisë së luajtshme apo paluajtshme në kushtet dhe rregullat e njëjta sikurse që ka edhe Asociacioni ekzistues i komunave të Kosovës dhe assesi pronar i pasurisë publike të Kosovës. Pra, pronar i ndonjë tavoline pune apo ndonjë kompjuteri që do ta shfrytëzojë për nevojat e veta dhe asgjë më shumë.

KosovaPress: Po marrëveshja për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër! Mitrovica prej pasluftës qëndron e ndarë. Kur do të hiqet kjo barrikadë?

Hashim Thaçi: Marrëveshja e katërt me Serbinë përcakton heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër dhe kjo duhet të fillojë të realizohet më 15 tetor nga ana e BE-së dhe më së largu në qershor të vitit të ardhshëm ura do të jetë e hapur për automjete dhe këmbësorë. Me këtë marrëveshje i jepet fund ndarjes së Mitrovicës dhe 15 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, kjo urë do të shndërrohet në një urë bashkimi për qytetarët, qytetin dhe Kosovën.

KosovaPress:T’i kthehemi një çështje mjaft të ndjeshme, asaj të demarkacionit me Malin e Zi, e cila ka prodhuar debate dhe reagime të shum ta edhe te vetë banorët e zonës kufitare në komunën e Pejës, të cilët tash nuk po mund t’i shfrytëzojnë pronat e tyre… a kanë ndryshuar kufijtë me Malin e Zi?

Hashim Thaçi: Kritikat për demarkacionin janë krejtësisht të paqëndrueshme dhe vetëm manipulim i opinionit nga ana e opozitës, sepse edhe vetë kryetarët e Pejës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në projektet për zhvillimin e komunës së Pejës kanë përdorur të njëjtat harta që ka përdorur edhe komisioni për demarkacionin. Edhe ata kanë folur për 603 metra katror të komunës së Pejës, po aq sa paraqiten edhe në dokumentet e komisionit për demarkacionin.

Kurse, ata qytetarë e dinë që pronat e tyre gjithnjë kanë qenë në territor të Rozhajës, sepse Malit të Zi edhe i kanë paguar taksa për ato prona. Edhe për këto ekzistojnë dokumentet lehtë të qasshme.

Këto sulme nuk janë aspak pa rimore dhe vetëm kanë për qëllim që të manipulojnë opinionin publik dhe të nxisin tensione me shpresë se këto do të gjenerojnë përkrahje për protesta dhe dhunë. Dhunë kundër institucioneve të popullit të Kosovës, dhunë kundër shtetit të Kosovës.

Pra, demarkacioni i kufirit është bërë në përputhje të plotë me dokumentacionin relevant.

Kufijtë e Kosovës mund t’i ndryshojë vetëm Kuvendi i Kosovës dhe jo ndonjë komision. Komisioni vetëm ka vizatuar kufirin e vitit 1974, në bazë të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Nuk qëndron as pretendimi se banorët nuk po mund t’i shfrytëzojnë pronat e tyre, sepse Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar qysh para dy viteve edhe një marrëveshje teknike që u mundëson banorëve të zonave kufitare qasje të lirë në pronat që kanë në anën tjetër të kufirit, por edhe lejon shfrytëzimin e kullotave dhe ujërave nga banorët e zonave kufitare.

KosovaPress: Aksioni i fundit i opozitës së bashkuar në Kuvend nuk jep shumë shpresa se do të ketë, le të themi ulje të tensioneve politike. Ata madje dje kanë deklaruar edhe hapur, që ky është vetëm fillimi dhe se nuk do të kursejnë asgjë, deri në ndaljen e krijimit të asociacionit të komunave serbe. Për fund, si e vlerësoni këtë qasje të re të opozitës?

Hashim Thaçi: Nuk kam sesi ta vlerësoj, përpos që të shpreh keqardhje që subjektet politike opozitare, nga dëshira për të marrë pushtetin, janë në gjendje të mohojnë të gjitha këto arritje e madje t’u kundërvihen edhe miqve dhe përkrahësve më të mëdhenj të shtetit tonë. Është për keqardhje që pjesë e agjendës së një lëvizjeje politike ekstreme, e cila e nxit edhe viktimizimin e njerëzve të saj për qëllime politike dhe asnjëherë nuk ndalet për ta shikuar veten, për të treguar përgjegjësi dhe për të reflektuar se sa larg prej kufirit të sjelljeve të pranueshme nga shoqëria ka shkuar, janë bërë edhe partitë e tjera dhe tash komplet alternativen e tyre politike e kanë përqendruar në vezë-hedhje dhe në aktivitete politike joserioze. Kundërshtimet e opozitës nuk janë aspak parimore, por vetëm përpjekje për të shtrembëruar një proces të mirë për Kosovën, me qëllim që të shkaktohen tensione dhe të legjitimohen trazirat e mundshme në Kosovë, për të cilat edhe po përgatiten. Por, edhe ata e dinë, se frika dhe dhuna më nuk kanë vend në Kosovë.