Lajme Shqip Monday, 21 September 2015 12:52

Angazhimi intensiv në arenën ndërkombëtare i zëvendëskryeministrit e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, me sa duket po i pengon gjithnjë e më tepër mediat dhe opinionin publik të Serbisë, të cilët e kanë vendosur gjithnjë e më shumë në shënjestër Thaçin gjatë periudhës së fundit.

Aplikimi për anëtarësim në UNESCO ka ndezur në mënyrë të veçantë gjakrat e tyre, sikurse që u vërejt edhe pas përplasjes së ashpër mbi këtë temë mes Thaçit dhe Daçiqit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Një hulumtim i publikuar gjatë javës së kaluar prej Byrosë për kërkime sociale (BIROD) me qendër në e Beograd, që nxirrte në pah epërsinë e Thaçit kundrejt Vuçiqit në Twitter mori jehonë të gjerë në mediat serbe dhe shkaktoi indinjatë tek lexuesit.

Ky studim demonstronte se postimet e Thaçit në mediet sociale kishin shumë më tepër impakt ndërkombëtar sesa postimet e Vuçiqit, sidomos kur bëhet fjalë për trajtimin e temave të rëndësishme si anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, Integrimi Evropian apo Normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Gjithashtu shprehej shqetësimi se suksesi i Thaçit në politikën e jashtme dëshmohej nga fakti që marrëdhëniet e Thaçit me SHBA-të janë shumë më të afërta sesa ato që Vuçiqi po përpiqet të ndërtojë me Gjermaninë.

Me një qasje të ngjashme frustrimi për suksesin e Thaçit shkruan pak ditë më pas edhe portali informativ serb Elektronske Novine, i cili profilin e bërë për zëvendëskryeministrin Thaçi e titullon “Partner i Besueshëm i Amerikës”.

Shkrimi përshkruan pesë vitet e fundit të karrierës së Thaçit duke renditur sfidat dhe vështirësitë e përballura, sukseset e ndryshme dhe marrëdhënien e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të shprehet gjithashtu habia se si një njeri i akuzuar për krime të rënda nga raporti i zviceranit Dick Marty, ia ka dalë që të shndërrohet “në një super-yll të mediave globale”.

Për ta ilustruar këtë vëmendje ndërkombëtare që siguron Thaçi, Elektronske Novine flet për agjendën e ngjeshur ndërkombëtare të tij dhe përmend se si brenda pak ditësh pas fotove të famshme pozitive të samitit të Vjenës ai ia doli që të sigurojë një intervistë të gjatë në Bild-in gjerman, një intervistë me Telegraph-in britanik dhe të publikoi një editorial mbi migrimin në Franfkurter Allgemeine Zeitung, si dhe një tjetër për Gjykatën Speciale në gazetën britanike The Independent.

Në këtë mënyrë mediat serbe ia faturojnë Thaçit humbjen e vazhdueshme të terrenit që Serbia po pëson në arenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Retorika kundër ish-liderit të UÇK-së dhe liderit aktual të diplomacisë kosovare u ashpërsua edhe më shumë së fundmi me artikullin e të premtes së kaluar të botuar prej gazetës beogradase “Blic”, e cila e quan madje edhe xhelat që po e krijon fshehurazi ushtrinë e Kosovës, duke shpërfillur votën e Listës Serbe.

Artikulli tregon se Thaçi është duke e transformuar FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimit të bazës aktuale ligjore me shumicë të thjeshtë, duke anashkaluar nevojën për një ligj të ri që do të kërkonte edhe votat e komunitetit serb.