Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 19:20

Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, kanë takuar Todd Chapman, Zëvendësi i Parë i Nënsekretarit në Zyrën për Çështje Politike-Ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Në takim me zyrtarin e lartë shtetëror të SHBA është diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës dhe SHBA-së në fushën e sigurisë dhe kompletimin e tërë strukturës së sigurisë të Kosovës, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova është gati të formojë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se për këtë ka marrë pajtimin e NATO-s dhe tani po kërkon edhe pëlqimin e Kuvendit të Kosovës, trnsmeton Telegrafi.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja në programin e Partneritetit për Paqe dhe vendosja e dialogut politik me NATO-n, janë prioritet i Kosovës në fushën e sigurisë.

Lufta kundër ISIS-it dhe kundër radikalizmit si dhe pjesëmarrja aktive e Kosovës në Koalicionin Global Kundër Terrorizmit ishin temë bisedimi, gjithashtu.

“Ju sigurojmë se do të mbesim të pakompromis në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit”, u shpreh Zëvendëskryeministri Thaçi.

Zëvendës-nënsekretari Chapman u shpreh se bashkëpunimi i mirë që SHBA-ja ka me Kosovën do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të marrë forma edhe më konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët e tjerë të Kosovës do ta konfirmojnë rolin që Kosova po luan tani si eksportuese e stabilitetit në rajon dhe më gjerë, konkludoi zëvendëskryeministri Thaçi.