Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 14:22

Qeveria e Kosovës përkatësisht kryeministri Isa Mustafa, do të bënte gabim nëse eventualisht dorëzohet para presionit të partive opozitare për tërheqje të nënshkrimit nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Ky veprim do të mund të shihej si tradhti ndaj aleatëve të Kosovës, SHBA dhe BE, vlerësojnë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Partitë opozitare kanë kërkuar nga kryeministri që të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet e 25 gushtit në Brukesl nëse Qeveria, siç janë shprehur ata, dëshiron qetësi në Kuvend.

Por, një veprim i tillë, sipas analistëve, do të mund të rezultonte me izolim të vendit edhe pse marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, me theks ajo për Asociacionin, janë marrëveshje mbi parimet, por, që nuk janë ratifikuar ende në Kuvend.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se historia njeh raste kur ka pasur tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare, siç ka qenë ajo e vitit 1998, kur administrata amerikane kishte terhjekur nënshkrimin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Hoti për lajmi.net ka thënë se në përgjithësi tërheqja e nënshkrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare nuk është praktikë e mirë. E sa i përket rastit të Kosovës ai ka thënë se do të mund të kishte pasoja për vendin, madje deri të izolimi i tij.

“Në rrethanat tona, ku dihet se Kosova është krijuar shtet me ndihem e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe sikur Kosova të ishte sikur të gjitha shtetet e tjera, që nuk është themeluar me ndihmësen e ndërkombëtarëve, mos bashkëpunimi me komitetin ndërkombëtar do të sjellë izolimin e vendit dhe kjo nuk mund të kalojë pa pasoja për vendin”.

“Situata edhe ashtu është e rëndë dhe nëse ne nuk bashkëpunojmë me ndërkombëtaret, vetëm sa do të përkeqësohej”, është shprehur Hoti.

Edhe për Emrush Ujkanin njohës të këtyre rrethanave, tërheqja e nënshkrimit nga marrëveshjet në Bruksel do të ishte veprim i gabuar. Ai kujton se procesi i negociatave me Serbinë, që nga fillimi, ka qenë i vështirë dhe janë bërë kompromise, por heqja e nënshkrimit, sipas tij, do të vinte në pikëpyetje partneritetit me SHBA-të dhe BE-në.

Ujakni për lajmi.net është shprehur se nuk beson që Qeveria do ta tërheqë nënshkrimin nga këto marrëveshje pasi, sipas tij, është koha që të shikohet përpara në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

“Tërheqja e një nënshkrimi të tillë, që unë besoj se nuk do të ndodhë, natyrisht se do të kishte pasoja  sepse nuk do të tregoheshim serioz ndaj faktorit ndërkombëtarë sepse do t’i bëhej një përbuzje”.

“Ky nuk është një veprim i mençur dhe unë mendoj se duhet të shikohet përpara në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, jam i sigurt se ka shumë nevojë që këto marrëveshje të rishikohen në kuptimin se sa janë zbatuar nga të dy palët deri me tani, por një tërheqje e tillë nuk do ti kontribuonte gjendjes qoftë politike dhe asaj ekonomike”, është shprehur Ujkani, për lajmi.net.

Rreth kërkesës së opozitës për tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet në Bruksel është deklaruar edhe kryeministri Mustafa. Ai ka mohuar një mundësi të tillë duke u shprehur se nuk ka kthim në pikën zero.