Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 08:07

Debati që kishte nisur javën e kaluar në Kuvend, ku u përdorën fjalë fyese e denigruese, ka vazhduar edhe të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit rreth raportimit të kryeministrit Isa Mustafa për marrëveshjet e arritura në Bruksel. Përplasjet dhe dallimet e mëdha në mes opozitës dhe koalicionit, vazhdojnë të shpërfaqën çdo ditë e më shumë, derisa shpërfillja reciproke vazhdon.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte një porosi për opozitën se përmes bllokimit të institucioneve nuk zgjidhen problemet e qytetarëve. Duke iu referuar paralajmërimeve të fundit që kanë ardhur nga blloku opozitar për bllokim të punës së Kuvendit nëse nuk do të ketë shfuqizim të marrëveshjeve të arritura për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kreu i legjislativit tha se bllokimi nuk i ndihmon askujt.

 “Është më mirë të komunikohet bashkërisht dhe të jemi më të përgjegjshëm në raport me ata që na kanë zgjedhur. Pra, të mos bëjnë teatër në sallën e Kuvendit, por të jenë dinjitoz në debatin e tyre”, ka thënë Veseli. /Zeri