Lajme Shqip Saturday, 25 July 2015 08:15

Bashkimi Evropian ka filluar bisedimet me Beogradin zyrtar rreth zbatimit të marrëveshjes për policat e sigurimeve të arritur në dialogun e Brukselit, shkruan sot Koha Ditore

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se duhet të bëhen disa përmirësime nga pala serbe në marrëveshjen për lëvizjen e lirë. Ajo ka thënë se zyrtarë të BE-së kanë filluar bisedimet me palën serbe në Beograd pasditen e së premtes dhe se fillimi i zbatimit të Marrëveshjes është çështje ditësh.

“Nuk ka një datë për këtë çështje, pasi që në këto momente BE-ja është në bisedime me palën serbe. Besoj që zgjidhja e kësaj çështjeje do të bëhet brenda disa ditësh”, ka thënë Tahiri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se presioni i Brukselit do të ndikojë te Serbia që të nisë zbatimin e Marrëveshjes.

“Kemi mospërmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë. Do të thotë, Serbia nuk u është përmbajtur afateve sipas të cilave nga sot do të fillonte përmbushja e marrëveshjes. Pra, nuk kemi të bëjmë me anulim apo suspendim të marrëveshjes, por bëhet fjalë për pagatishmërinë e Serbisë. Ajo duhet të punojë tutje që t’i përmbushë edhe disa obligime që i ka marrë me marrëveshje”, ka thënë Mustafa.