Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 12:20

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri priti sot në takim ambasadorin e Suedisë për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, me seli në Shkup, Mats Staffansson , i cili shoqërohej edhe nga zyrtari për Kosovën në Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë në Stokholm, Andre Nilsson, si dhe shefi i Misionit të Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson.

Gjatë këtij takimi është biseduar për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të dyja shteteve, bashkëpunimin për reforma si dhe për mbështetjen për integrimet euro-atlantike për Kosovën.

Ministrja Tahiri falënderoi për përkrahjen e veçantë të Suedisë për reformat evropiane për Kosovën si dhe njoftoi delegacionin suedez se sot Qeveria e Kosovës e ka miratuar edhe iniciativën për nënshkrimin e marrëveshjes mbi bashkëpunimin për reforma në mes Suedisë dhe Kosovës, marrëveshje kjo që synon të rris bashkëpunimin mes dy vendeve, me theks në programet e ofruara nga Suedia.

Po ashtu u bisedua për rrjedhat e fundit në dialogun e Brukselit. Me këtë rast, ministrja Tahiri tha se Kosova ka dëshmuar seriozitet në këtë dialog dhe zbatim të marrëveshjeve dhe tash është radha e BE-së që ta shpërblejë Kosovën dhe pa vonesa të nënshkruhet Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe të merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Nga ana e tij, ambasadori Staffansson vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën, dhe konfirmoi përkrahjen e Suedisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ai po ashtu, rikonfirmoi përkrahjen e fuqishme të Suedisë për integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës.