Lajme Shqip Friday, 31 July 2015 08:03

Qeveria dhe Kuvendi kanë koordinuar veprimet për votimin e ndryshimeve kushtetuese, për herë të dytë brenda një muaji, të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Vetëm një ditë pasi u konfirmua se PDK-ja i ka bindur deputetët kundërshtues të Speciales, Qeveria do të mblidhet sot (e premte) në orën 09:30 për të riproceduar amendamentin kushtetues, i cili herën e parë nuk mori 80 votat e nevojshme. Edhe Kryesia e Kuvendit ka thirrur për të premten, në orën 12:00, takimin, ku pritet të caktohet seanca për votimin e Speciales.

Gazeta merr vesh se të martën e javës tjetër do të votohet për themelimin e Gjykatës Speciale, shkruan sot Koha Ditore.

Pas dështimit të parë më 26 qershor, Qeveria ka kumtuar se në mbledhjen e së premtes do të shqyrtojë dhe riprocedojë çështjen e njëjtë në Kuvendin e Kosovës, propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e dhomave të specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.