Lajme Shqip Tuesday, 28 July 2015 20:25

Është partia e parë në vend për nga numri i votuesve. Por, sikurse edhe në partitë e tjera në Kosovë edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës, përçarjet dhe mospajtimet janë evidente.

Këto përçarje në partinë numër një i ka vënë në pah çështja e Themelimit të Gjykatës Speciale, ku disa deputetë të PDK-së, votuan kundër amendamenteve që do të çonin në themelimin e kësaj gjykate.

Analisti Fadil Lepaja, vlerëson se, mospajtimet që kanë dalë në sipërfaqe, me rastin e votimit të gjykatës speciale duket se janë edhe më të thella se kaq.

“Si duket bashkë me krejt Kosovën, edhe PDK-në po e mbanë peng një rreth i drejtuesve të cilët po i pengojnë proceset reformuese në PDK dhe shoqëri, shpeshherë duke brohoritur publikisht për to”, thotë Lepaja për “Bota sot”.

Ai potencon se, edhe lufta për ndryshime në PDK-së, po e merr si gjithkund, formën e luftës për pushtet në parti edhe në shtet.

Ndërkaq, analisti politik Halil Matoshi, thotë se konflikti në PDK, është konflikt i matjes së fuqive për kontrollin të të mirave kombëtare, të kapura nga PDK-ja dhe SHIK-u.

“Kjo që po ndodh brenda PDK-së nuk është një konflikt klasik ideologjik ose mes forcave përparimtare dhe regresive, mirëpo është konflikt i matjes së fuqive për kontrollin (apo ndarjen mes veti) të të mirave kombëtare, të kapura nga PDK-ja dhe SHIK-u. Kinse konflikti rreth Gjykatës Speciale nuk ekziston, sepse ajo është lojë e dyfishtë e kreut të PDK-së për ta negociuar të ardhmen e tij me bashkësinë ndërkombëtare”, potencon Matoshi. /Bota Sot/