Lajme Shqip Friday, 30 October 2015 08:57

Edhe një muaj i ka mbetur Isa Kosumit, zëvendëskonsull në Ambasadën e Kosovës në Bernë, që të shijojë privilegjet që i jep ky post.

Kjo pasi ky diplomat do të kthehet në Kosovë nga fundi i muajit nëntor me vendim të sekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Gashi.

Lajmin për kthimin në Kosovë të Kosumit e ka konfirmuar vetë sekretari Gashi, përmes telefonit për gazetën “Zëri”.

“Sigurisht që nuk është ndonjë masë e promovimit të tij, por është një kërkesë që ai të kthehet në Kosovë dhe të vazhdojë shërbimin”, ka thënë Gashi përmes telefonit.

Sipas sekretarit të Ministrisë së Jashtme, kjo masë është ndërmarrë derisa Kosumi është hedhur në Komisionin për Grada dhe Disiplinë dhe ky Komision të vendosë saktë për pozicionin e tij. “Ai Komision mblidhet një herë në tre muaj kështu që nuk kemi mundur të ndërmarrim shumë shpejt ndonjë veprim. Por, derisa të sqarohet kjo, ai do të kthehet në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Reagimi i Ministrisë që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, ka ardhur pasi ‘Zëri’ ka publikuar një skandal që ndërlidhet me kthimin e pavullnetshëm në Kosovë të njëvjeçarit Y. Kryeziu, derisa për të Ministria e Shëndetësisë kishte paguar mbi 60 mijë euro si shumë fillestare që t’i bëhej transplantimi i palcës kurrizore, pasi ai fëmijë vuante nga leukemia. /Zëri/