Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 08:08

Kosova ka nxënës që mësojnë nga tekste të historisë që e portretizojnë shtetin si djep të popullit serb, e nga ato të gjeografisë që e prezantojnë si pjesë të territorit të Serbisë. Të tillët nuk janë pak, por të gjithë ata të komunitetit serb.

Prej një dekade e gjysmë, kur është çliruar Kosova, serbët kanë zhvilluar edukim paralel dhe të bazuar në planprogramin zyrtar të Serbisë. Leksionet i marrin po nga tekste të fqinjit verior. Po kështu, mësimdhënësit paguhet edhe nga Beogradi zyrtar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Versione konfrontuese kosovarët e etnive të ndryshme mësojnë për të kaluarën e të tashmen e Kosovës. Dhe, derisa fëmijët ushqehen nga të tilla leksione, autoritetet qeveritare nuk e kanë kaluar provimin në përpjekjen për ta unifikuar sistemin arsimor.

Kanë ngelur edhe në synimin për ta fuqizuar përgjithësisht këtë sektor, që secila qeveri e pasluftës e ka deklaruar si prioritet të saj. Investimi kryesor është bërë në infrastrukturë, ku janë derdhur qindra miliona euro.

Planifikimi jo i duhur ka bërë që në fshatra të ketë shkolla të mëdha, e tërë hapësira e të cilave nuk shfrytëzohet nga shkaku që ka pak nxënës, ndërsa në zona urbane të punohet në tri ndërresa, për shkak të mbipopullimit. /Koha Ditore/