Deri në fund të vitit 2016, qytetarët e Kosovës nuk do të pajisen me kartelat e sigurimit shëndetësor.
Vonesa e stërzgjatur për implementimin e ligjit për sigurim shëndetësor, po i shqetëson qytetarët e vendit, disa nga të cilët thonë se tashmë i kanë humbur shpresat.
“Po me të tregu të drejtën jemi mësua me premtime, se nuk është që presim ku me ditë …diçka të mirë”.
“Të gjithë njëjtë janë, skenari i njëjtë vetëm aktorët po ndryshojnë. P.sh. Në shëndetësi na e dimë se si shkon në spitalet e Kosovës, pa dhënë pakë ryshfet nuk bën, nuk kujdeset për ty, vdesë aty edhe nuk të shikon”, thotë një qytetar.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, tha se është dashur që të krijohet këshilli përgatitor për themelimin e fondit të sigurimeve shëndetësore, raporton RTK.
Po ashtu të krijohen disa udhëzime administrative që kanë të bëjnë më çmimoren e shërbimeve ambulatore dhe atyre spitalore.
Hoti tha se nuk mund të fillohet me zbatimin e sigurimeve shëndetësorë pa e pasur një listë për të gjithë personat e të gjitha kategorive që lirohen nga pagesa, listë kjo që tani është siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të siguroj listën e personave të riatdhesuar të cilët në vitin e parë më ligj janë të liruar nga pagesat dhe shume pune të tjera të cilat është dashur të kryhen para se të fillohet me mbledhjen e kontributeve”.
Hoti tha se është duke u punuar që sa më shpejtë të fillohet me mbledhjen e kontributeve.
“Synim themelor për sivjet është për mbledhjen e kontributeve, ndërsa është më evidente që këtë vit nuk do të ketë sigurime shëndetësore. Por në fund të vitit të ardhshëm qytetarët e vendit ta kenë kartelën dhe të jenë të siguruar”.
Kontributet prej 3.5 për qind për fondin e sigurimeve shëndetësorë, ishte paraparë që të mblidhen nga viti i kaluar dhe implementimi të fillojë nga janari i këtij viti.