Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 14:38

Rojet Kufitare të Zvicrës nga fillimi i këtij viti kanë arrestuar 226 persona të dyshuar për trafik me qenie njerëzore. Një përllogaritje e bazuar në këtë trend jep një shifër prej rreth 400 sish për tërë vitin. Dhe ky numër shënon vazhdimin e trendit në rritje të peshës së problemit të kontrabandës, që ka filluar që nga “pranvera arabe”, shkruan “NZZ am Sonntag”. Kështu, nëse në vitin 2011 kishte vetëm 114 të arrestuar për trafik, në vitin 2014 kjo shifër u ngjit në 384 sish që i bie më shumë se trefishim i numrit.

Numri më i madh i kontrabandistëve të kapur sivjet nga Rojet Kufitare kanë qenë shtetas kosovarë shkruan gazeta në fjalë. Krahas tyre në mesin e të arrestuarve ka shtetas sirianë, eritreanë, gjermanë dhe zviceranë.

Një raportim i bërë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së zbulon makinacion deri tash potghuaj të panjohura të trafikantëve me qenie njerëzore nga Eritrea. Sipas tij, në kufirin perëndimor të Eritresëoficerët e ushtrisë bëjnë biznese të përbashkëta me kontrabandistët vendorë për transportimin e refugjatëve përmes Sudanit në Egjipt. Për një person, oficerët kërkojnë deri në 3000 dollarë, shkruan “SonntagsZeitung”.

Por ka raste kur ata ndalojnë refugjatët dhe nuk i lirojnë deri sa familjarët e tyre në Evropë nuk paguajnë shuma që shkojnë deri në 20 mijë dollarë.

Raporti më tutje thotë se paratë e kësaj kontrabande deponohen në një konto zvicerane. Po sipas atij raporti, koordinatori i këtij rrjeti të trafikantëve jeton në Zvicër dhe autoritetet në Bernë janë të njoftuara me këtë fakt. Megjithatë, Prokuroria Federale nuk është duke zhvilluar kurrfarë procedure lidhur me këtë çështje.

Autoritetet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë informatë në këtë drejtim, shkruan gazeta.