Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 14:18

Anëtari i Kryesisë së “Nisma për Kosovën”, Bilall Sherifi, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjinit ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj liderit të “Nismas”, është një lojë që po bëhet me Limajn.

Sipas tij, për koincidencë, tash e sa vite, rasti Limaj po aktualizohet veçanërisht gjatë kohës kur po ndodhin zhvillime të rëndësishme në vend.

Ai ka theksuar se Limaj është shndërruar në një peng të EULEX-it, të cilët “as nuk e vrasin as nuk e lirojnë”, transmeton Telegrafi.

“Pengu nuk po ndihmohet as nga shoqëria. Ta lëmë një anë Fatmir Limajn, por kjo duhet të shihet si raport i drejtësisë me një qytetar të Kosovës. A guxon një qytetar i Kosovës të mbahet në pasiguri juridike për 6 vite radhazi? Duhet të pyetemi se a është i pranueshëm një standard i tillë?”, ka thënë Sherifi.

Sherifi ka konsideruar se shefit të tij vazhdimisht i janë ricikluar aktakuzat – edhe kur ishte nënkryetar i PDK-së, kohë kjo kur edhe reputacioni i tij ishte tepër i lartë.

“Goditja e dytë për të ishte kur u mor vendimi për tu krijuar “Nisma”, dhe goditja e tretë kur ishte vendosur të bëhet koalicioni paszgjedhor VLAN. Në aktakuzat që po i ngrihen Limajt ka të përfshirë edhe politikanë vendorë. Mendoj që drejtuesit e PDK-së vazhdimisht kanë qenë të implikuar, sipas raporteve edhe të EULEX-it, në ngritjen e këtyre aktakuzave, më qëllim që ta dëmtojnë Limajn”.