Lajme Shqip Sunday, 20 September 2015 08:08

Kryetari i Caritas-it gjerman, Peter Neher ka dalë me një propozim interesant për zbutjen e krizës së refugjatëve: dhënien e një shume të caktuar parash atyre që kthehen, si ndihmesë për fillimin e jetës në vendin ku do të kthehen.

Propozimi i tij ka të bëjë vetëm me refugjatët që vijnë nga vendet që nuk kanë praktikisht asnjë shans që t`u njihet azili në Gjermani, pra nga vendet e Ballkanit.

Neher në një intervistë për gazetën NOZ të të shtunës ka thënë se “ne kemi përgjegjësi edhe në raport me refugjatët që vijnë nga Ballkani“ dhe në këtë kontekst ka kërkuar më shumë angazhim nga Berlini zyrtar.

„Do të ishte e pranueshme që personave me shanse të ulëta për njohje të azilit t`u ofrohet një ndihmë startimi prej 1000 deri 2000 eurosh në mënrë që pas një trajnimi në Gjermani këta njerëz te mund të nisin bazën e tyre ekzistenciale në Shqipëri, Kosovë ose Serbi. Duke i kthyer ata thjesht nga kanë ardhur ne nuk kemi bërë asgjë. Ne mundemi, për shembull që të rinjtë t`i trajnojmë në përkujdesjen për të moshuarit“, ka thënë më tutje Neher, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, dyndja e madhe e të rinjve nga Ballkani është edhe humbje enorme e resurseve të vendeve përkatëse.

Neher më tutje në intervistë ka apeluar kundër asaj që refugjatët e krishterë të kenë favorizime në trajtim.

“Kjo nuk ka qenë kurrë qëndrim i kishës sonë dhe as i Caritas-it. Gjermania duhet të strehojë njerezit e përndjekur pavarësisht nga religjioni i tyre”, përcjell albinfo.ch fjalët e shefit të organizatës humanitare të Kishës Katolike të Gjermanisë.

“Edhe pse në disa vende të krishterët ndiqen në mënyrë të veçantë, kriteri i pranimit të refugjatëve në Gjermani duhet të jetë përmasa e përndjekjes“.