Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 09:21

Qeveria amerikane, në një deklaratë thotë se marrëveshja, të dyja vendet i sjellë kah normalizimi i marrëdhënieve dhe më afër familjes evropiane.

Qeveria dhe mediumet amerikane i kanë vlerësuar me nota dhe komente pozitive katër marrëveshjet e 25 gushtit midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, siç e çuan revista ligjore JURIST në Pittsburgh, ‘një hap qenësor drejtë pajtimit pas luftës në vitet e 1990-ta’.

Qeveria amerikane ndërkaq në një deklaratë thotë se marrëveshja të dyja vendet i sjellë kah normalizimi i marrëdhënieve dhe më afër familjes evropiane.

“Marrëveshjet e finalizuara për energjinë, telekomunikacionin, themelimin e Shoqatës së Komunave Serbe si dhe lirinë e lëvizjes në urën e Mitrovicës, do të përmirësojnë jetën e njerëzve në të dyja vendet,” thuhet në një kumtesë të Departamentit të Shtetit të lëshuar nga zëdhënësi John Kirby.

Me këtë rast qeveria amerikane thekson se Shtetet e Bashkuara ‘do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm edhe më tej dialogun drejt këtij qëllimi’.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë përcjellë vazhdimisht nga afër çdo takim të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, duke dhënë edhe këshillat e nevojshme dhe mënjanuar ngërçet e herëpashershme.

Gazeta e New York-ut, The Wall Street Journal shkruan gjerësisht për marrëveshjen dhe zhvillimet e nxehta politike të kësaj vere në Kosovë, ndërsa citon ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi i cili deklaron se ‘marrëveshja është në interes të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të integrimit evropian të vendit’.

“Rajoni asnjëherë nuk ka qenë një pozitë më të mirë për një bashkëpunim të ndërsjellë”, i thotë gazetës amerikane Thaçi. /rtk/