Lajme Shqip Sunday, 27 September 2015 16:52

Kanë kaluar më se dy javë që kur Ministria e Arsimit e Kosovës ka dhuruar mbi 100 mijë libra shkollorë për nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.

Por, librat ende nuk i kanë parë nxënësit, dhe ata edhe më tej vazhdojnë që dijen e tyre ta nxënë përmes metodës së shënimeve.

Librat kanë hyrë në Serbi për herë të parë legalisht, por autoritetet doganore po vazhdojnë t’i mbajnë ato në terminalin doganor, raporton televizioni publik i Kosovës.

Prolongimi i procesit të doganimit të librave shkollorë të cilat u dhuruan për nxënësit shqiptarë në Luginë, sipas përfaqësuesve të Këshillit Nacional Shqiptar, po bëhet me qëllim.

Sipas deputetit Shaip Kamberi, mbështetja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga institucionet e Republikës së Kosovës, për Serbinë është e papranueshme.

“Përkundër faktit se librat nuk përputhen plotësisht me planprogramet arsimore serbe, megjithatë do të mund të gjenin aplikim. Por, ndalesa e tyre është problem politik”, thuhet në Komisionin për Arsim.