Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 14:10

Mitrovicë – (E plotësuar, 30 janar) Serbët kanë përfunduar pa incidente protestën e zhvilluar për të kundërshtuar marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve. Policia e Kosovës kishte përcjellë nga afër rrjedhën e protestës, por ka njoftuar se përveç vështirësimit të qarkullimit të komunikacionit, nuk ka pasur probleme të tjera.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka deklaruar për Telegrafin se protesta ka përfunduar rreth orës 14:00.
“Sipas përfaqësuesve të protestuesve ka pasur rreth 4 mijë veta në këtë protestë. Të gjitha njësitet e policisë që kanë qenë të angazhuar, tashmë janë kthyer”, ka thënë Hoti.
Protesta është zhvilluar në lokacionin e njohur si Sheshi ‘Shumadia’ dhe në rrugën e Mbretit Petar, në pjesën veriore të Mitrovicës.
Krerët ilegalë të katër komunave veriore kanë thënë vazhdimisht se nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë marrëveshje që e definojnë Kosovën si shtet të pavarur.
Pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes së IBM-së, qytetarë serbë herë pas here kanë bllokuar rrugët duke penguar doganierët shqiptarë për të shkuar në rrugë tokësore në pikat doganore në Jarinë dhe Bërnjakë.(K.N/REL/LajmeShqip.com)

*********************************************************

Mitrovicë – Rreth 1000 serbë po marrin pjesë në tubimin e ashtuquajtur gjithë popullor që ka filluar para pak çastesh në veri të Mitrovicës, kundër marrëveshjes së Brukselit për doganat dhe kufijtë.  

Krerët ilegalë të katër komunave veriore kanë porositur Bashkësinë Ndërkombëtare se serbët nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë të jetojnë në Kosovën e pavarur. Policia e Kosovës po e vëzhgon protestën.(K.N/LajmeShqip.com)