Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 13:22

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për shtyp të mbajtur paraditen e së hënës ka nënvizuar se, që nga konferenca e Berlinit deri tek ajo e Vjenës është regjistruar një progres i jashtëzakonshëm politik në rajon.

“Ajo që vlen të theksohet është se kemi hyrë në një fazë ku progresi ka shërbyer për të rritur vëmendjen për avancimin e mbështetjes ekonomike e financiare për rajonin”, ka deklaruar Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare ka bërë të ditur se, palët e përfshira në këtë proces të organizuar me nismë të kancelares Merkel kanë rënë dakord për financimet dhe investimet në infrastrukturën rajonale.

“Gjatë këtij viti është përcaktuar harta e ndërlidhjes përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturë. Prioritet në këtë drejtim është Korridori i Kaltër, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ndërkohë që mbështesim edhe projektin e quajtur Rruga e Paqes, që lidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës”, pa rikujtuar se autostrada në pjesën e Kosovës quhet “Ibrahim Rugova”, ndërsa në pjesën e Shqipërisë quhet “Rruga e Kombit”, të cilat pothuajse janë të përfunduara.

Një tjetër pikë në të cilën ai e ka vënë theksin ka qenë edhe arsimi, reforma për të cilin kërkon gjithashtu një mbështetje financiare.

“Elementi kryesor për të ardhmen e të rinjve është pikërisht rrjeti i arsimit profesional. Ne kemi nisur një reformë në këtë sektor sipas modelit gjerman, por duhet një mbështetje financiare për ta fuqizuar këtë rrjet”, ka thënë Rama.

Në vijim të fjalës së tij, Rama ka theksuar se, ekzekutivi i tij po vazhdon edhe reformat në fushat e tjera, përfshirë atë në drejtësi që ka marrë sipas tij mbështetje nga faktori ndërkombëtar.

Shefi i qeverisë ka paralajmëruar gjithashtu nisjen ditën e martë të aksionit për mbledhjen e taksave, “për të ulur informalitetin sipas standardeve evropiane”. “Do të jetë një luftë frontale ndaj biznesit që nuk paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit që mashtrohet e grabitet përditë kur blen mall apo shërbim”, ka shtuar Rama.

Më tej duke iu përgjigjur interesit të mediave, kryeministri ka shtuar se, rritja ekonomike për Shqipërinë do të jetë sipas parashikimeve.