Lajme Shqip Tuesday, 10 July 2012 14:20

Tiranë – Kreu i PS-së, Edi Rama ka përsëritur sot qëndrimin e forcës që drejton për gatishmërinë e plotë për heqjen apo kufizimin e imunitetin në respekt të Kushtetutes, por duke theksuar se nuk do të pranojë arna të Kushtetutës e ndërhyrje të ngutshme si ajo e katër viteve më parë.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka deklaruar se për opozitën nuk ka dilemë nëse duhet hequr ose kufizuar imuniteti, pa diskutim po. “Propaganda e Berishës sikur jemi ne pengesë, është e pështirë, është e qartë se Saliu kërkon alibi për të fajësuar opozitën për dështimin e provimit të vjeshtës, është kapur si i mbyturi pas fijes së barit”- tha ai.

Sipas Ramës, duhen ndërhyrje në Kushtetutë dhe PS nuk do të ndërhyjë me ngutjen e 4 vjetëve më parë. “Aq më tepër sot kur një president i zgjedhur njëanshmërisht pritet të zgjedhë një prokuror që nuk kemi arsye të besojmë se do i shërbejë vendit, por shtetit njëpartiak. Imuniteti duhet hequr në respekt të frymës së Kushtetutës e për këtë duhen ndërhyrje kushtetuese për rritje të pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe forcim luftës kundër korrupsionit”- tha ai.

Rama ka deklaruar se heqja e imunitetit kërkon një proces të hapur transparent dhe gjithpërfshirës.

“Proces që trajtohet në respekt të frymës së kushtetutës dhe në funksion të debatit më të gjerë, në dobi të rritjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Ne nuk bëjmë arnim qorrazi kundër kushtetutës së Shqipërisë. Na duhen gjykata të pavarura që të përfaqësojnë vullnetin kushtetues” tha Rama. (LajmeShqip.com)