Lajme Shqip Tuesday, 01 July 2014 19:42

U mblodh sot Grupi i Miqësisë me Italinë, me qëllim përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve fqinje Shqipëri-Itali. I pranishëm në këtë aktivitet,  kryeministri Edi Rama, e cilësoi rast fatlum marrjen e kryesisë së Italisë në BE, që përkoi me marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. 

Kryeministri deklaroi se mbledhja e sotme u bë jo për të bërë tifozllëk për skuadrat tani që luhet futboll, por për të bashkuar interesat e dy shteteve fqinje nëpërmjet një ure të re bashkëpunimi, që do të jetë frytdhënëse për Shqipërinë, sidomos tani që Italia mori kryesinë në BE.

Rama gjithashtu falënderoi ata që ndërmorën këtë nismë ndonëse të vonuar:

“Mua më duket se ky takim mund të mbante këtë titull, më mirë vonë se kurrë. Duket pak si çudi që një nismë e tillë padyshim e dobishme, e natyrshme për historinë e gjatë që na bashkon pavarësisht detit që na ndan, të merrte formë vetëm sot. Padyshim përgëzime atyre që e ndërmorën këtë nismë. Një falënderim i kushton mikut tonë të përbashkët Gaiani”.

Në kuadër të zhvillimeve të ditës, kryeministri i vendit përshëndeti marrjen e kryesisë së BE-së nga Italia dhe mirëpriti kontributin e shtetit italian për Evropën dhe për Shqipërinë:

“Renzi është një shans i madh për Italinë, ashtu si Italia është një shans i madh për Evropën dhe për Shqipërinë. Uroj që ky grup miqësie mos mbetet një miqësi virtuale, por të bëhet ura e arritjes së këmbimeve shumë të dëshiruara mes nesh”, tha Rama.

Në mbyllje të deklaratës, kryeministri preferoi të citonte një shprehje italiane, sipas së cilës : “E mira është armiku i më të mirës”. Nëpërmjet kësaj shprehje kryeministri theksoi se ngritja e këtij grupi miqësie me Italinë është gjëja e duhur, në kohën e duhur, për të mirën e të dy vendeve:

“Më mirë vonë se kurrë, por s’është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur”, përfundoi deklaratën kryeministri.