Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 08:33

K​reu i ekzekutivit shqiptar i rikthehet edhe njëherë anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke u shprehur se Evropa ka humbur në egoizëm dhe se BE-ja sot është më shumë taktike, sesa strategjike.

Në një intervistë për gazetën italiane “Il Mattino”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehet se Evropa ka humbur në egoizëm dhe sot BE-ja është më shumë taktike dhe më pak strategjike. Rama i referohet krizës së emigrantëve në Mesdhe, duke vënë në pah hendekun dramatik që ekziston në Evropë, e cila thotë ai, “prej kohësh ka humbur në egoizëm, nacionalizëm, taktika politike dhe elektorale që konsumohen në vende të veçanta anëtare në BE”.

Ju jeni lideri i një vendi që ka paguar kosto të lartë për emigracionin, por sot, në ditët e një tragjedie ku Evropa duket e paaftë për të vepruar dhe për të ndaluar katrahurën e Mesdheut, është akoma Shqipëria e interesuar të jetë pjesë e BE-së?

Kjo krizë humanitare, që vjen nga shtimi i flukseve emigruese, nxjerr në pah, në mënyrë dramatike, boshllëkun që ekziston në Evropë, e cila prej shumë kohësh është e hapërdarë midis egoizmave, nacionalizmave, takticizmave politike dhe elektorale që konsumohen në secilin vend anëtar.

Një Evropë gjithnjë e më pak solidare?

Do të thoja që po avancon mungesa e disponibilitetit për të respektuar vlerat autentike të bashkimit, i cili është gjithnjë e më pak strategjik e gjithnjë e më shumë taktik, viktimë e një egoizmi që rrjedh nga llogaritë e brendshme në secilin komb.

Domethënë, nuk ia vlen të bëhesh pjesë e tij?

Përkundrazi, sepse aspirata evropiane nuk është e lidhur me një periudhë historike të caktuar, por është një projekt më i madh, ndoshta ëndrra më ambicioze që njerëzimi ka ditur të konceptojë. Kjo krizë nuk ka vënë në diskutim parimet, por faktin se ky projekt politik ka mbetur i pa përfunduar. Tragjedia që po konsumohet në Mesdhe nuk është sigurisht një arsye për ta braktisur këtë projekt, por është një shans për ta rilançuar atë, duke shkuar përtej Evropës financiare, idesë se një grup i caktuar shtetesh duhet të jenë bashkë vetëm për arsye ekonomike dhe përfitime vetjake. Në të kundërt, ka ardhur koha që të konkretizojmë ambicien e madhe të integrimit midis popujve, e cila ka qenë dhe baza mbi të cilën lindi Bashkimi Evropian.

Për sa i përket emigracionit, BE-ja ndodhet në vështirësi të madhe, aq sa dhe SHBA-të kanë denoncuar izolimin e disa vendeve përballë emergjencës.

Sigurisht që ka vështirësi, por nëse në këta dhjetëvjeçarë nuk ka pasur ndryshime të jashtëzakonshme, ne duhet t’i themi faleminderit BE-së. Tani duhet të tejkalojmë këtë paralizë, por ata që përpiqen të përdorin dhimbjen ose nevojat e njerëzve, ose janë injorantë ose janë të pabesë.