Lajme Shqip Friday, 31 July 2015 08:00

Qeveria e Kosovës sot në mëngjes do të mbajë mbledhjen e rregullt.

Qeveria e Kosovës sot në mëngjes do të mbajë mbledhjen e rregullt ku pritet që kabineti qeveritar të shqyrtojë dhe riprocedojë në Kuvendin e Kosovës propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar.

“Riprocedimi në Kuvend, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese nga ana e Kuvendit, është një hap me rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës në procesin e përmbushjes së obligimeve që shteti i Kosovës ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë me rastin e aprovimit në Kuvend, me dy të tretat e votave të deputetëve, të letërkëmbimit të Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, vitin e kaluar”, është thënë në komunikatën lëshuar dje nga zyra e Kryeministrit Isa Mustafa.

Në këtë komunikatë thuhet se përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cenojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës.

“Përmbushja e këtij obligimi nga institucionet e Kosovës, do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë per dyshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.