Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 08:01

Qeveria e Kosovës pret që rritja ekonomike në vitin 2015 të jetë rreth 3 për qind. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se ky është parashikimi më pesimist. Nëse do të vërehen efektet e pakos së re fiskale, ai thotë se rritja mund të jetë edhe më e lartë.

“Nëse do t’i ndiejmë shpejt efektet e kësaj pakoje fiskale mendoj që do të shkojë përtej kësaj”, ka thënë ai, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministri i Financave pret që në vitin 2016 ekonomia të rritet në një përqindje dukshëm më të lartë se ajo që pritet të jetë në vitin aktual.

 “Përfundimisht vitin e ardhshëm pres të kemi kapërcim të madhe të rritjes ekonomike me këto projekte zhvillimore që i përmenda më herët”, ka thënë ai.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës pret që rritja ekonomike e vitit 2015 të jetë më e lartë se ajo e vitit paraprak.

 “Sa i përket vitit 2015, pritet që ekonomia e Kosovës të përshpejtojë ritmin e rritjes”, thuhet në raportin e BQK-së për stabilitetin financiar, i cili është publikuar të martën.

Aty janë dhënë edhe faktorët që pritet të ndikojnë në rritjen ekonomike, por edhe faktorët që do të kenë ndikim negativ, siç është niveli i ulët i eksporteve.