Lajme Shqip Wednesday, 22 July 2015 12:45

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të shpërbëjë të ashtuquajturën “Mbrojtja civile” që ka vepruar jashtëligjshme si strukturë paralele e sigurisë në komunat veriore të Kosovës.

Me këtë vendim parashihet integrimi në institucionet e Kosovës i 483 personave që kanë qenë pjesë e kësaj strukture dhe marrja në shfrytëzim e të gjitha objekteve që janë shfrytëzuar nga kjo strukturë, raporton RTK.

Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri para kabinetit qeveritar paraqiti konkluzat e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”, për të cilat tha se janë në përputhje me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tahiri tha se këto konkluza janë arritur në mars, pas një kohë të gjatë bisedimesh.

“Konkluzionet në fjalë parashohin mbylljen e të gjitha pikave vëzhguese të sigurisë së objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale dhe dorëzimin e tyre tek institucionet e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës me këtë marrëveshje është zotuar për të integruar 483 individë që kanë qenë pjesëtarë të kësaj strukture”, tha Tahiri.

Tahiri theksoi se integrimi këtyre personave do të bëhet në duke respektuar ligjet e Kosovës, përkatësisht ligjin për shërbimin civil të Kosovës ku janë parë të gjitha normat për integrim përfshi edhe verifikimet përkatëse të sigurisë. Ajo paraqiti edhe planin e integrimit, ku pasqyrohet një listë e ministrive dhe agjencive që do ta integrojnë këta persona, e që do të jetë e kushtueshme për buxhetin e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa e vlerësoi të rëndësishëm këtë hap të Qeverisë, ndërsa për foli edhe për koston e zbatimit.

“Jemi konsultuar me ministrin e financave dhe ne kemi një hapësirë të punësimit për këtë vit dhe natyrisht edhe buxhetet e punësimit. Ne duhet të zbatojmë një vendim të tillë në mënyrë që t’i integrojmë këto struktura, dhe pastaj sipas proceseve që i paraqiti ministrja ne do të bëjmë shuarjen e këtyre strukturave”, tha Mustafa.

Ndërkohë, kabineti qeveritar aprovoi edhe disa projektligje dhe disa vendime të tjera, mes të cilëve edhe raportin gjashtëmujor të buxhetit për vitin 2015, ndërsa i dha mbështetje propozimit për rritjen e akzicës në duhan, aparate të lojërave të fatit dhe në fishekzjarre. Kryeministri Mustafa kërkoi rritje më të madhe të akcizës për lojërat e fatit.

“Unë mendoj që ka mundësi të rritjes së mëtejme sidomos te kazinot, dhe mos t’u merret dora shumë, sepse ne duhet të mbrohemi sidomos që nxënësit, fëmijët, të rinjtë, mos të kenë mundësinë të shpenzojnë dhe t’i frekuentojnë, kështu që nëse qeveria mendon, do të ishte mirë që këtë pjesë ta rrisim edhe më shumë, jo të shkojmë në 25 apo 30, por ta rrisim 100 për qind”, tha Mustafa.