Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 08:07

Qasja e opozitës është e gabuar dhe e rrezikshme për proceset e shtetndërtimit. Nënkryetari I Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë të hënën se debate duhet kthyer në Kuvendin e Kosovës, sepse çdo rrugë tjetër është e dëmshme për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në një intervistë për gazetën Epoka e re, ai ka vlerësuar se qasja e opozitës është e gabuar.

“Qasja e opozitës karshi zhvillimeve politike është e gabuar dhe nuk i kontribuon domosdoshmërisë së stabilitetit politik. E ftojmë opozitën që të gjitha shqetësimet, që shpesh mund të jenë edhe të përbashkëta, t’i zgjidhim nëpërmjet rrugës institucionale dhe një debati të mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është e dëmshme për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Grabovci.

Sipas tij, logjika e bllokimit të punës së Kuvendit nga opozita, përveçse është e rrezikshme, mund të jetë edhe një precedan që mund të përdoret edhe në të ardhmen.

“Andaj kjo është qasje e gabuar dhe e rrezikshme për proceset e shtetndërtimit”, ka theksuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Grabovci ka vlerësuar se çdo tryezë që ka për qëllim zgjidhjen e mospajtimeve eventuale është e mirëseardhur edhe pse, sipas tij, ende ka hapësirë të rikthehet debati në Kuvend.

“Asnjë alternativë tjetër, pos dialogut të brendshëm në mes të subjekteve politike nëpërmes debatit institucional, nuk është zgjidhje. Vetëm kur adresojmë saktë shqetësimet tona atëherë mund t’i zgjidhim ato”, është shprehur Grabovci. /Epoka e re