Lajme Shqip Wednesday, 22 July 2015 08:07

Pak minuta pas orës 16:00, kur shumica e stafit të Gjykatës së Apelit kishte lëshuar objektin me të përfunduar orarin e punës, Policia e Kosovës, me urdhër të prokurores speciale Drita Hajdari, arrestoi kryetarin e Gjykatës së shkallës më të lartë në vend, Sali Mekaj, në zyrën e tij.

Dyshimet që i ngarkohen atij nga Prokuroria Speciale janë shpërdorim i pozitës zyrtare dhe ushtrim i ndikimit, vepra penale këto të dënueshme deri në maksimum 5 vjet burgim sipas Kodit Penal të Kosovës, shkruan “Koha Ditore”.

Negocimi për një shumë ryshfeti prej 20 mijë eurosh për lirimin nga procedurat penale të një të dyshuari për trafikim me drogë, sipas burimeve të gazetës, është ajo për të cilën dyshohet Mekaj.

Negociatat për një marrëveshje të tillë dyshohet se ai i ka bërë me Vlora Goranin, e cila u arrestua po ashtu të hënën nën dyshimet për dhënien e ryshfetit, e që është gruaja e të dyshuarit për trafikim me drogë, për të cilin nuk është bërë i ditur identiteti.