Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 20:12

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka mbetur pa zëdhënës dhe këshilltar për medie. Kështu bëjnë të ditur burime të Klan Kosovës brenda institucionit të presidentes së Kosovës.

Kjo do të thotë se Arbër Vllahiu, këshilltari i deritanishëm dhe zëdhënësi për medie nuk e ushtron më këtë detyrë, për shkak të mosmarrëveshjeve brenda presidencës.

Mbetet e paqartë nëse Vllahiu është dorëhequr nga ky pozicion, apo shefja e shtetit ka projektuar një rokadë ndërmjet këshilltarëve të saj.

Edhe në ueb faqen zyrtare të presidentes së Kosovës, Vllahiut nuk i shkruan më pozicioni i këshilltarit dhe i zëdhënësit për medie, por vetëm si shef i Stafit dhe Këshilltar i Lartë Politik i Presidentes së Republikës.

Klan Kosova ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Vllahiu, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike gjatë ditës.

Ndërkohë, këshilltarja tjetër e Presidentes Jahjaga, Garentina Kraja, i tha Klan Kosovës përmes telefonit se nuk është në dijeni për ndonjë ndryshim në ekipin e shefes së saj dhe shtoi se gjithçka që mund të thotë është se Vllahiu vazhdon të jetë këshilltar i të parës së shtetit.

Redaksia ka arritur ta kontaktojë drejtorin e departamentit për informim Safet Zejnullahun, i cili tha se të gjitha informatat që janë në ueb faqen e presidencës së Kosovës janë informata zyrtare dhe korrekte. Ai ka sugjeruar se të gjitha të dhënat për personat që janë në ekipin e presidentes Atifete Jahjaga mund të gjenden në ueb faqe.