Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 11:51

Tiranë -Ish-Kryeministri Fatos Nano, në fillim të turit të takimeve që ka parashikuar në axhendë lidhur me kandidimin e tij për postin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, u takua mbasditen e sotme në Tiranë me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Pas një takimi në ambientet e Hotel “Rogner” për më shumë se 100 minuta, në një prononcim për mediat,  Nano deklaroi se “takimi me Metën ka një koincidencë sinjifikative për faktin se ai është drejtues i një partie që ka në programin e saj prioritar integrimin e vendit në BE”.

“Jemi duke identifikuar me shumë pjekuri dhe qetësi mundësitë që ekzistojnë për të ndërtuar së bashku një proces sa më konsensual të mundshëm, që do të ishte në përputhje edhe me vlerësimet që unë kam me axhendën aktuale të integrimit të vendit, me përmbajtjen dhe simbolikën e 100- vjetorit të Pavarësisë dhe me nevojën e mirëkuptueshme me z.Meta që një politikë më konsensuale t’i shërbejë realizimit të një produkti më të mirë në implementimin e strategjive dhe reformave të zhvillimit për integrim”, u shpreh z. Nano.

Ai tha se do të vazhdojmë të identifikojmë së bashku me këtë realitet dhe transparencë ecurinë e këtij procesi, drejt një zgjidhjeje për Shqipërinë.   
Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vlerësoi mesazhet  konstruktive të Nanos në radhë të parë për t’i shërbyer një procesi pozitiv dhe çtensionues.

“Pavarësisht nga diagrama e raporteve të mija me të në të kaluarën, po të vlerësojmë që ai është një politikan me eksperiencë, që ka dhënë kontribute për t’i shërbyer çtensionimeve politike në momente serioze, mbetet i rëndësishëm angazhimi dhe preokupimi i tij për t’i shërbyer procesit të integrimit eruopian”, tha Meta. (LajmeShqip.com)