Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 20:37

Tiranë  – Kryeministri Sali Berisha tha sot lidhur me kandidimin e ish -kryeministrit socialist, Fatos Nano, për President se “nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua. Natyrisht qëndrimet e mia mbi çështjen janë të njohura, por ish-kryeministri e ka derën të hapur në çdo rast që ai kërkon të takohet me kryeministrin aktual”.

Berisha tha për mediat, pas vizitës në ekspozitën me punimet e piktorit Ibrahim Kodra “Shqipëria fantastike”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, se nuk do të kandidojë për postin e Presidentit, ndërsa janë forumet demokratike dhe bisedimet me aleatët që do ta përcaktojnë një kandidat për këtë post.

“Atë që mund t’ju them me garanci të plotë është vetëm kjo; Sali Berisha nuk do të jetë kandidat, sepse kam një vendim përfundimtar. Në vitin 2009 kam dalë para qytetarëve shqiptarë si kryeministër me një program që do ta zbatoj deri ditën e fundit të mandatit 4 vjeçar dhe nuk mund të imagjinoj veten që të shmangem qoftë dhe për një sekondë nga fushëbeteja”, tha Berisha, duke shtuar se “pasioni im është qytetari me problemet e tij, përsa kohë do të më votojnë do të punoj me të gjithë përkushtimin tim në shërbim të tyre, me një mekanizëm tërësor reformash që po ndryshojnë çdo ditë këtë vend dhe po e çojën drejt horizontit të vendeve të zhvilluara”.

Sa i përket emrave të tjerë për postin e Presidentit, Berisha tha se “do të jetë një personalitet nga Partia Demokratike dhe PD ka një grup personalitetesh me kontribute thelbësore në procesin e zhvillimit të vendit. Cili do të jetë prej tyre? Kjo do të jetë çështje e forumeve demokratike, e konsultimeve më të gjera me të gjithë faktorët, me aleatët, por nuk përjashtoj nga konsultimet as opozitën, ky është rregulli. Unë mendoj se procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë një proces thellësisht kushtetues”. (LajmeShqip.com)