Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 11:47

Kryeministri i vendit, Edi Rama në kuadër të ceremonisë së dorëzimit të disa pajisjeve për Policinë e Shtetit, theksoi se, kjo nismë e ndërmarrë shënon fazën e parë të transformimit.

“Në Evropë jam i sigurt por edhe në botë nëse do të kërkojmë një rast të dytë që Ministria e Brendshme është në këtë derexhe dhe kjo është derexheja ku ne gjetëm jo një godinë, por një strukturë të tërë të punëve tona të brendshme, të policisë sonë, me 46 për qind  të ndërtesave me strukturë të dobët ose shumë të dobët, me 70 për qind të automjeteve policore në gjendje të dobët ose shumë të dobët. Dhe këtë termë të dobët ose shumë të dobët e kanë thënë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe amerikanë që në shqip përkthehet të lodhur dhe shumë të lodhur”, – deklaroi Rama.

Ndërsa ministri Tahiri tha se, është i vendosur për të modernizuar Policinë e Shtetit. Tahiri deklaroi se, “me kamerat në makinë nuk do të ketë më asnjë mundësi që polici të korruptohet apo të korruptojë, pasi do të jetë i monitoruar gjatë gjithë 24 orëve”.

“Mes debateve boshe qe politika ka dashur të ngarkojë rendin dhe duke synuar futjen me zor të ndjenjës së frikës te qytetarët, ne kemi vendosur sot që të flasim me fakte dhe me investime afatgjate dhe cilido që kërkon të flasë për investime në këto 23 vite e ka shumë të lehtë të flasë”, – tha ministri Tahiri.

Tahiri tha se, të gjitha këto investime, janë vetëm fillimi i një pune të re për të pasur, siguri dhe zero korrupsion. Fytyra e re e policisë duhet që të ofrojë siguri e jo frikë.

 “Kamerat që do të vendosen në bordin e makinave të policisë, në motorë dhe në trupin e efektivit të policisë, do të sjellë që asnjë prej efektivëve të mos sfidojë ligjin dhe të mos mbyllin sytë përballë një problemi”, – theksoi Ministri i Brendshëm.

 Duke folur në këtë ceremoni, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka deklaruar se, këto kamera që do të vendosen në makina, do të filmojnë në mënyrë të pavarur punën e efektivëve të policisë si dhe do të ruhen në një server qendror pa mundësi ndërhyrjeje