Lajme Shqip Saturday, 08 June 2013 10:23

Prishtinë – Policia e Kosovës është vënë në kërkim të 10 personave që dyshohen se kanë kryer vepra penale ndaj komunitetit të lezbikëve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve (LGBT) me rastin e promovimit të revistës Kosova 2.0.

“Hetimi Kosova 2.0 përfshin shtatë incidente të veçanta që janë duke u hetuar nga një ekip i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Përveç incidentit që ka ndodhur më 14 dhjetor 2012 tek Salla e Kuqe, Pallati i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka pasur edhe disa incidente të tjera në ose afër datës së njëjtë.

Të gjitha incidentet kanë të bëjnë me veprat penale kundër komunitet të lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve (LGBT) në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu policia ka publikuar edhe fotografitë e personave të përfshirë në këtë rast. Ndërsa kërkohet edhe ndihma e qytetarëve për ti kapur ata.

“Deri tani hetimet e policisë kanë rezultuar me identifikimin e 12 (dymbëdhjetë) personave si të dyshuar të mundshëm për vepra të ndryshme, kundër 5 (pesë) prej tyre Prokurori ka hapur një hetim formal. Policia e Kosovës, falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimi e vazhdueshëm të treguar, si dhe në të njëjtën kohë kërkon nga të gjithë ata të cilët kanë informata të besueshme të na kontaktoni në numrat e telefonit; 192, 92 dhe 038 242131 prej orës 08:00-16:00. Të gjithë ata që ofrojnë informacion të besueshëm për Policinë e Kosovës, do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”,thuhet në njoftim.