Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 11:04

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona të dyshuar kanë tentuar të ndalojnë ose sulmojnë eskortën e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Në njoftimin e Policisë thuhet se sot rreth orës 07:58, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, nga njësia policore e Mbrojtjes së Afërt dy personat e dyshuar kanë tentuar të “ndalojnë/sulmojnë” eskortën në lëvizje.

“Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lënë prapa tri qese të letrës në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të cilat shërbejnë për shpuarjen e gomave, si dhe një telefon celular”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Sa i përket lëvizjes se eskortës se Kryeministrit nuk ka pasur asnjë incident dhe e njëjta ka vazhduar lëvizjen pa probleme, ndërsa lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka njoftuar PK-ja.