Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 14:51

Policia e Kosovës ka reaguar të hënën për shkrimin “Pas demarkacionit, Policia malazeze me kallashnikovë në Rugovë”. Sipas Policisë së Kosovës biçiklistë janë ndaluar nga Policia e Malit të Zi, në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që ndanë Republikën e Kosovës me Malin e Zi, pra brenda territorit të Malit të Zi.

Sipas Policisë, këta persona nuk kanë pasur kërkesën paraprakisht, as në Policinë e Kosovës dhe as në atë të Malit të Zi për kalimin e kufirit jashtë pikave zyrtare për kalimin e kufirit, prandaj edhe kanë bërë kalim të paligjshëm të kufirit.

“Rasti ka ndodhur me datë 13.06.2015, kur këta tre (3) biçiklistë janë ndaluar nga Policia e Malit të Zi, në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që ndanë Republikën e Kosovës me Malin e Zi, pra brenda territorit të Malit të Zi. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë, që kalimi i kufirit për çfarëdo arsye të realizohet nëpër pikat zyrtare për kalim të kufirit dhe duke respektuar procedurat ligjore që kërkohen. Të shmangen kalimet jo të rregullta apo të paligjshme sepse për shkelje të procedurave mbi kalimin kufitar do të përballen me ndëshkime ligjore sipas proceduarve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagim.