Lajme Shqip Monday, 14 January 2013 15:24

TIRANE – Zbardhen detaje të operacionit të policisë së Burrelit mbrëmjen e së dielës, ku mbeti i plagosur shefi i krimeve, Musa Skura. Burime të policisë bëjnë të ditur se forcat e rendit ndodheshin pranë fshatit Suç pas sinjalizimeve për grabitje të shpeshta me maska në aksin Burrel-Klos.

Mësohet gjithashtu se shefi i krimeve Musa Skura ka qenë duke udhëtuar me një makinë civile, kur është hasur me dy persona të cilët kishin dalë të armatosur dhe të maskuar në këtë aks. Teksa ka kërkuar dorëzimin e tyre, shefi i krimeve është qëlluar nga një person i tretë, i cili ishte fshehur rreth 10 metra në anë të rrugës.

Pikërisht në këtë moment Musa Skura është plagosur me disa plumba në trup. Plumbat kanë prekur aksidentalisht edhe njërin prej grabitësve. Pas kësaj ka nisur shkëmbimi i zjarrit mes forcave të tjera të policisë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes dhe grabitësve. Ndërkaq, edhe në mëngjesin e sotëm ka pasur forca të shumta të policisë dhe RENEA-s në vendin e ngjarjes për mbledhjen e provave të tjera materiale, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. 

NOKA: DO BEJME GJITHÇKA PER T’I SHPETUAR JETËN
Ministri i Brendshëm Flamur Noka vizitoi në Spitalin Ushtarak shefin e krimeve të Burrelit Musa Skura, i cili ndodhet ne reanimacion në gjendje kritike për jetën. Ministri Noka bëri të ditur se po diskutohet transportimi i Skurës në një nga spitalet më të specializuara në Foxhia të Italisë. 

“Gjendja e shefit të Krimeve të Burrelit është e stabilizuar, por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’i shpëtuar jetën. Kemi kontaktuar me spitalin “San Giovani” në Foggia të Italisë, një nga spitalet më të specializuara”, tha Noka për mediat, duke shtuar se “jemi në pritje të kthimit të përgjigjes dhe dërgimin e një avioni sanitar për transportimin e shefit të krimeve”. 

Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja, tha se “është kontaktuar me spitalin e specializuar në Foggia të Italisë, ku është bërë gati dhe vendi, dhe jemi në pritje të vendimit të palës italiane për avionin sanitar”. “Gjendja e pacientit lejon transportin”, tha Mihja. 

MJEKËT: MUSA SKURA ENDE NË RREZIK PËR JETËN
Shefi i krimeve në policinë e Burrelit, Musa Skura, iu nënshtrua një operacioni të vështirë mbrëmjen e djeshme në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Sipas mjekut reanimator Bardh Kurti, Skura u paraqit në spital në gjendje shoku hemorragjik, ndërsa plumbat i kishin prekur 5 organe. Sipas mjekut, gjendja e shefit të krimeve është e stabilizuar, por nuk është tejkaluar ende rreziku për jetën.

“Pacienti kishte dëmtim të veshkës së djathtë, e cila iu hoq farë, dëmtim të stomakut që iu qep, çarje të zorrëve të trasha dhe të holla të cilat u qepën. Mori rreth 9 qese gjak. I sëmuri është në parametra stabël, por situata mbetet e rëndë, për shkak të dëmtimit të shumë organeve. Ka ende rrezik për jetën, pasi ka komplikacione respiratore”,- bëri të ditur mjeku. 

Sipas mjekut Kurti, momentalisht nuk është i nevojshëm transportimi jashtë shtetit. 

SHEHU: GJENDJA E SKURËS, E RENDE
Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu vizitoi në spital shefin e krimeve të Burrelit, i cili u plagos një ditë më parë gjatë një operacioni për kapjen e një grupi grabitësish.

Në një prononcim për mediat, deputeti Shehu deklaroi se gjendja e Musa Skurës është e rëndë, pasi plumbat i kanë prekur disa organe të rëndësishme të trupit. Sipas Shehut, transportimi i tij jashtë vendit po diskutohet, pasi lëvizja e pacientit është tepër e vështirë.

“Po trajtohet me impenjim nga kolegët reanimatorë. Situata shëndetësore është përsëri e rëndë me mjaft probleme, si pasojë e traumës së djeshme.”- deklaroi Shehu.

ARRESTIMI
Ndërkohë forca të shumta të policisë së Burrelit dhe të Dibrës u vunë në ndjekje të personave që shkëmbyen zjarr me policinë. Burimet e policisë deklarojnë se është arrestuar i plagosuri Fitim Alla si dhe një tjetër agresor, Vilson Milkurti. Në orët e vona të mbrëmjes, RENEA arrestoi dhe 22-vjeçarin, Rigert Lifja. Po të njëjtat burime thonë se është bërë krehja e gjithë zonës dhe se janë ngritur postblloqe të shumta në rrugën Burrel-Klos dhe në akset rurale. Kjo, me qëllim vënien në pranga të autorëve të tjerë të krimit.(B.W/LajmeShqip.com)