Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 11:06

Incidentet mes grupeve rivale brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, që luftojnë për pozicione në pushtet, nuk kanë të ndalur. Një incident i ri, që ka përfunduar me të shtëna, ka ndodhur mbrëmë ne Çarshinë e Shkupit, ku janë përfshirë kuadro të BDI-së.

Mediat në Maqedoni kanë lidhur rastin me garën për postin e drejtorit të Fondit Pensional Invalidor, një nga drejtoritë më me peshë, njofton korrespodenti i Koha Ditore nga Shkupi. Sipas dëshmitarëve okularë fillimisht ka ndodhur një përleshje fizike para kafiterisë “Libraria e Çarshisë” në Çarshinë e vjetër në Shkup, ku janë përfshirë anëtarë të BDI-së.

Sipas dëshmitarëve, nga rrahja fizike më së keqi ka kaluar drejtori i Shkollës së Mesme Tregtare SH.Z., i cili është edhe kandidat i ri për drejtor në Fondin Pensional, nga radhët e BDI-së, njofton Koha Ditore.

Sh. Z., thuhet se është rrahur nga një koleg i tij, profesor në një shkollë tjetër, i quajtur Bulgin!

Dëshmitarët kanë thënë se pas përleshjes i rrahuri SH.Z., pak me vonë është kthyer dhe ka gjuajtur nga pistoletën e tij, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Nga policia jozyrtarisht është konfirmuar incidenti, ndërsa hollësitë zyrtare pritet të publikohen brenda ditës.