Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 14:49

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i është përgjigjur menjëherë sot letrës së hapur të rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, i cili dje ia shihte për të madhe atij se i ka “ndërruar fjalët” rreth një marrëveshje të tij me të, duke hedhur poshtë edhe akuzat që ai ia bënte këtij

Kjo është përgjigjja e plotë e ministrit Arsim Bajrami në letrën e rektorit Zejnullahu:

“Përgjigje në letrën e hapur të Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

z. Rektor,

E lexova i befasuar letrën tuaj të hapur që kishit drejtuar për mua. Vërtetë u befasova me keqinterpretimin dhe manipulimin që i kishit bërë intervistës time dhënë para disa ditësh për RTV21. Nga rreth një orë intervistë, çuditërisht, ju më shkëputni 4-5 fjali për t’i interpretuar dhe manipuluar pastaj ato në mënyrën më brutale të mundshme. Unë nuk munda të gjej askund

Nuk e kam të qartë për çfarë ndryshimi të qëndrimeve aludoni në letrën tuaj, siç nuk e kuptoj pse më atribuoni mua thirrjet për zbutje të standardeve dhe qëndrimeve në çështjet akademike të Universitetit.

Megjithatë, duke marrë parasysh që po flasim për Universitetin e Prishtinës, për universitetin tim, po aq tëndin dhe të secilit, e ndjej të nevojshme të ju jap disa sqarime publike për ju dhe të gjithë të tjerët që dëshirojnë të informohen drejt, përtej keqinterpretimeve të nxituara dhe paragjykuese në letrën tuaj.

Unë nuk kam asnjë rezervë në zbatimin e standardeve ligjore dhe akademike të përcaktuara në Statutin e Universitetit. Përkundrazi, angazhohem me gjithë qenien time për mbrojtjen e tyre dhe çdo shmangie nga këto standarde e konsideroj që përbën shkelje të rëndë në punën e Universitetit. Si juve, ashtu edhe anëtarëve tjerë të Senatit, ju kam sqaruar vazhdimisht rëndësinë dhe domosdoshmërinë për gjetjen e zgjidhjeve që nuk cenojnë kriteret e cilësisë dhe që janë të bazuara në kuadrin ligjor të përcaktuar me Statut dhe Ligj.

Ju kam bërë të qartë ju dhe të gjithë anëtarëve tjerë të Senatit, që çështja e avancimeve akademike në universitet është çështje e brendshme akademike e Universitetit dhe të mos prisni, në asnjë formë, nga Ministri si përfaqësues politik, të ndërhyj për të zgjidhur çështje të tilla. Këtë qëndrim timin ju kam shprehur juve, në takimet e mbajtura me kërkesat e juaja, e po ashtu edhe Dekanëve të Universitetit, sërish në takimin e kërkuar publikisht nga ana e tyre.

Kam qenë mjaft i qartë në çdo takim të përbashkët, me ju dhe të tjerët, që unë përkrah pa asnjë rezervë vetëm kriteret që i përcakton Statuti i Universitetit. Me këtë rast, çdoherë kam kërkuar me ngulm që pavarësisht mospajtimeve lidhur me çështjen e avancimeve akademike, të mos lejohet të cenohen në asnjë formë çështjet tjera që ndërlidhen me interesin e studentëve, me organizimin dhe mbarëvajtjen e studimeve dhe jam i lumtur që një gjë e tillë, të paktën deri më sot, nuk ka ndodhur. Në këtë frymë, besoj të gjithë jeni të vetëdijshëm që në një nga takimet e fundit të Senatit, ishte arritur mirëkuptim për shqyrtimin të disa çështjeve tjera në interes të studentëve dhe fillimit të vitit të ri akademik.

Është shumë e vërtetë që për të tejkaluar mosmarrëveshjet eventuale në Senat, ju kam propozuar që të organizoni debate të hapura akademike me udhëheqës të njësive akademike, me profesorë të shquar të universitetit, me bashkëpunëtorë të jashtëm ndërkombëtarë të universitetit, me intelektual nga shoqëria civile, duke konsideruar që debati i hapur do të ishte forma më e civilizuar e gjetjes së zgjidhjes dhe tejkalimit të mosmarrëveshjeve në Senat. Nuk e kuptoj pse ju keni konsideruar të nevojshme pjesëmarrjen time në debate të tilla të karakterit akademik dhe nuk shoh asnjë arsyeje pse të tillat nuk i organizoni pa praninë time. Në çdo rrethanë tjetër, unë me shumë kënaqësi do të merrja pjesë në debate të tilla, mirëpo në pozicionin në të cilin gjendem aktualisht, do të duhej ta kuptonit që pjesëmarrja ime si i përfaqësues politik, në debate të tilla akademike, me shumë të drejtë do të mund konsiderohej si ndërhyrje në autonominë akademike të Universitetit dhe me shumë gjasë vetëm sa do të lëndonte dhe rëndonte edhe më tej Universitetin.

Unë besoj thellë që Universiteti i Prishtinës nuk ka nevojë për implikimin tim, sikurse të asnjë Ministri dhe përfaqësuesi politik në diskutimet e brendshme akademike. Në fakt, unë jam i bindur dhe për këtë angazhohem vazhdimisht, që politika të qëndrojë sa më larg çështjeve të brendshme akademike të Universitetit. Këtë, ju e dini që nuk është fare një punë e lehtë, por, këtë angazhim timin, ju keni pasur mundësinë ta kuptoni në së paku dhjetëra raste. Kjo në asnjë formë nuk nënkupton edhe shmangie të përgjegjësisë time për garantimin e ligjshmërisë institucionale dhe autonomisë akademike të Universitetit.

Sa më sipër, z. Rektor, më lejoni të ju përgjigjem dilemave të juaja:

z. Rektor, ju nuk keni asnjë nevojë dhe as nuk guxoni të lejoni, të ju shmangeni kritereve akademike të përcaktuar me Statutin e Universitetit, pavarësisht çfarëdo rrethane.

z. Rektor, zgjidhja e problemeve në proces, nënkupton, zgjidhjen e problemeve në formë institucionale dhe të qëndrueshme duke vendosur mekanizma afatgjatë të adresimit të problemeve në Universitet. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është funksionalizimi i Këshillit të Etikës së Universitetit dhe trajtimi i të gjitha rasteve, veç e veç, të dyshimeve etike për punën shkencore dhe akademike të personelit të Universitetit. Nuk mjafton për një Universitet kredibil, vetëm ndalimi i zgjedhjeve akademike të pamerituara, por ju duhet të angazhohen edhe në marrjen e masave konkrete ndëshkuese për cilindo shkelës të etikës akademike dhe shkencore në Universitet. Deri më sot, fatkeqësisht një gjë të tillë nuk e kemi parë. Pra, uroj ta keni të qartë, që zgjidhja e problemeve në proces në asnjë formë nuk nënkupton kompromise ndaj dukurive negative dhe këtë nuk e kuptoj si keni mundur ta keqinterpretoni në intervistën time.

z. Rektor, është bindja ime personale që Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit të lartë në Kosovë, me një traditë 45 vjeçare, nuk ka asnjë nevojë të ketë për referencë me rastin e zgjedhjeve akademike të kuadrit të saj, revista të institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë, që as përafërsisht nuk arrijnë traditën dhe veprimtarinë shkencore të Universitetit të Prishtinës. Këtë qëndrim timin, keni pasur mundësinë ta dëgjonit edhe në intervistën të cilës ju i jeni referuar.

z. Rektor, unë vërtetë mendoj që cilësia e programeve të studimit dhe e mësimdhënies në Universitet nuk është e kënaqshme. Për këtë, ju si profesor dhe rektor keni përgjegjësi po aq sa kam unë si profesor dhe ministër, e po aq sa kanë përgjegjësi edhe qindra kolegë tanë në Universitet. Në këtë drejtim, krahas sukseseve dhe rezultateve pozitive, të dy jemi të vetëdijshëm që kemi edhe shumë dështime që do të kishim dashur të mos i kemi, por ja që kanë ndodhur. Kjo, jo për shkak të mosangazhimit tuaj si rektor apo mosangazhimit tim si ministër, sesa për faktin që reforma të tilla kërkojnë një angazhim të sinqertë dhe përkushtim profesional më të madh të gjithë komunitetit akademik të Universitetit. Ju besoj e kuptoni, që jo çdo herë kjo është lehtë e arritshme.

z. Rektor, unë vërtetë mendoj që puna e një Rektori është t’i përkushtoj dekanët që të punojnë për cilësi. Ashtu siç me të drejtë, presin të tjerët nga unë që të përkushtoj vartësit tim në Ministri në përmirësimin e performancës dhe dhënies së rezultateve pozitive. E kuptoj mirë që kjo nuk është fare një punë e lehtë, mirëpo, këtë detyrë ne kemi pranuar. Ne të dy jemi të vetëdijshëm që javë më parë, lexuam raportin e vlerësimit të programeve të Fakultetit të Arteve. Besoj, pajtoheni që dështimi i akreditimit të gjitha programeve të Fakultetit, do të duhej të përbënte shqetësim serioz për të gjithë në Universitet. Fatkeqësisht, deri më sot, nuk kam dëgjuar që dikujt t’i keni kërkuar përgjegjësi për këto rezultate. Situata të ngjashme të papërgjegjësive janë me dhjetëra në universitet dhe përgjegjësia për adresimin e tyre na takon neve. Urdhëroni, z. Rektor, merrni masa konkrete të përgjegjësisë ndaj secilit person në Universitetit, për të cilin vlerësoni që po bllokon punën e Universitetit. Mos u mjaftoni vetëm me deklarata, për aq sa ju keni të gjithë autoritetin dhe kompetencat e nevojshme për të ndaluar këto veprime. Në këtë rast, ju siguroj, që do të keni edhe mbështetjen time të plotë si Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

z. Rektor, jo rrallë herë kam dëgjuar nga ju në diskutime tona të përbashkëta, shqetësimet e juaja lidhur me keqpërdorime dhe abuzimeve të ndryshme, për cilat ju aludoni që përballeni në Universitet. Sikurse çdo herë, sërish ju bëj apel që çdo rast të tillë të keqpërdorimeve ta adresoni pa humbur kohë në organet përkatëse të drejtësisë. Çështje të tilla kaq serioze nuk guxojmë t’i kalojmë kurrsesi vetëm me deklarata pompoze.

z. Rektor, në universitet dhe në shoqëri është biseduar mjaft edhe rreth cilësisë së ligjëratave dhe mbarëvajtjes së tyre, të paktën, unë këtë e di nga Fakulteti Juridik, ku unë angazhohem si mësimdhënës. Po ashtu, ju besoj e dini, që në universitet shpesh ka ndodhur që edhe të manipulohet nga grupe të ndryshme, çështja e mbarëvajtjes së ligjëratave. Pikërisht për këtë, ju duhet të angazhoheni në ndërtimin e mekanizmave transparent për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së ligjëratave, provimeve dhe punës së secilit anëtarë të personelit akademik.

z. Rektor, unë nuk e quaj bllokim asnjë përpjekje për të parandaluar çfarëdo ngritje akademike apo çështje tjetër që bie në kundërshtim me Statutin e Universitetit dhe Ligjin. Përkundrazi, një akt të tillë nga kushdo qoftë, e vlerësoi si një kontribut dhe akt të çmueshëm për Universitetin.

z. Rektor, ju dhe bashkëpunëtorët tuaj, jeni dëshmitarë që zyra ime ka qenë çdo herë e hapur për ju, sikurse për secilin, për të diskuar çdo çështje në interes të Universitetit. Në shumë takime kemi biseduar për një varg çështjesh me qëllim të përmirësimit të cilësisë në Universitet. Konkretisht, për herë të parë, kemi zvogëluar ndjeshëm numrin e studentëve në disa drejtime dhe kjo është bërë me qëllim të reflektimit të kapaciteteve kadrovike të Universitetit. Po ashtu, për herë të parë, kemi ngritur pragun e provimit pranues në Universitetit në 40%, me qëllimin e vetëm të pranimit të studentëve me rezultatet më të mira të dijes. Besoj e keni parasysh angazhimin tim maksimal për mbrojtjen e autonomisë akademike të Universitetit të Prishtinës, në fillim të mandatit tim, dhe në anën tjetër do të duhej të kujtoni gjithashtu angazhimin tim për gjetjen e një zgjidhje në interes të Universitetit, për tejkalimin e problemeve rreth çështjes së borxheve të akreditimit të UP-së ndaj AKA-së, të cilat muaj më parë rrezikonin shpalljen e konkursit për pranim të studentëve këtë vit akademik. Urdhëroni, z. Rektor, gjeni qoftë edhe një rast të vetëm timin, apo të ndonjërit nga bashkëpunëtorët tim, të kërkesave apo ndërhyrjeve për çështje të interesave të ngushta apo personale në punën e Universitetit.

z. Rektor, ju kujtoj që ka mbi tetë muaj që unë jam angazhuar në rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Pjesë e reformimit të ligjit kanë qenë edhe dispozitat që ndërlidhen me çështjen e kushteve dhe kritereve akademike për titujt akademik. Me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, kemi arritur të definojmë kriteret për avancim të stafit akademik, duke rritur ndjeshëm përgjegjësitë dhe obligimet për secilin, karshi punës kërkimore dhe njohjes ndërkombëtare të saj. Në këtë proces, ishin të përfshirë shumë kolegë tanë të Universitetit, e ku ndër ta, një kontribut kyç ka dhënë edhe prorektori për shkencë i Universitetit të Prishtinës. Ai, sikurse edhe kolegët tjerë, mund të ju dëshmojnë për përkushtimin tonë në ngritjen e standardeve më të larta të vlerës akademike dhe shkencore, e po ashtu mund të ju dëshmojë nëse gjatë punës së tyre kanë pasur ndonjëherë çfarëdo ndërhyrje nga jashtë.

 

z. Rektor, nga pesha e përgjegjësisë dhe angazhimeve që keni si Rektor i Universitetit, besoj e keni fare të lehtë ta kuptoni peshën e përgjegjësisë dhe angazhimeve që mund t’i ketë një Ministër i Arsimit, që krahas mbështetjes së UP-së, duhet mendoj edhe për mbështetjen e punës edhe të gjashtë universiteteve tjera publike, dhjetëra kolegjeve private dhe qindra e mijëra shkollave dhe mësimdhënësve në arsimin parauniversitar. Në këto rrethana, më e lehta që mund të bëjmë secili nga ne është të polemizojmë dhe akuzojmë njëri-tjetrin, mirëpo, përtej kësaj, qytetarët me të drejtë presin nga të gjithë ne zgjidhje dhe përmirësim të cilësisë së arsimit në vend.

Në fund, më duhet të shpreh zhgënjimin tim të sinqertë për qasjen arrogante dhe konfliktuoze që keni shprehur në letrën tuaj. Aq më pak, nuk arrij të kuptoj, gatishmërinë tuaj për të dhënë vlerësime personale për punën time para 10 vite në Universitetit, në kohën kur ju ishit Dekan i FSHMN-së. Përkundrazi, unë ndaj kujtimet dhe përshtypjet më të mira për angazhimin dhe punën tuaj në atë kohë.

Përvoja personale më ka mësuar që shpesh herë duhet sakrifikuar shumëçka nga egoja personale, për hir të një interesi më të madh shoqëror. Prandaj edhe sot, pozita që ushtrojmë unë dhe ju, më kufizon të ju përgjigjem drejtpërdrejt paragjykimeve personale që ju keni drejtuar ndaj meje. E kam të pamundur ta bëj këtë, për aq kohë sa Universiteti gjendet mes nesh. Por një gjë të jeni të bindur, që sot universiteti gjendet në një situatë më të keqe se dikur, dhe unë sikurse edhe shumë të tjerë ju mirëkuptojmë plotësisht që përgjegjësia për këtë nuk është drejtpërdrejt e juaja, për aq kohë sa gjërat nuk varen krejtësisht nga ju. Këtë konsideratë do të duhej ta kishte secili që dëshiron ta kuptojë drejt Universitetin dhe këtë do të duhej ta kishit parasysh edhe ju kur vlerësoni punën e të tjerëve para 10 viteve.

z. Rektor, për të ju përgjigjur dilemës tuaj, ju sqaroj që ajo që pres nga ju unë si Ministër i Arsimit, është pikërisht ajo që pret prej jush, secili student, prind dhe profesor. Një angazhim të sinqertë, në përputhje me kompetencat tuaja ligjore dhe me angazhimin e gjithë potencialin tuaj moral dhe intelektual, në respektim të përpiktë të kritereve të cilësisë akademike dhe shkencore të përcaktuara me legjislacion, si dhe në ngritjen e cilësisë në Universitetit.

Unë i gëzohem suksesit tuaj, meqë i njëjti do të ishte sukses për Universitetin, për arsimin e lartë në vend dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Po ashtu, i bashkohem mbështetjes së shoqërisë për ju për reforma në Universitet, por ju lutem që këtë mbështetje ta kuptoni si përgjegjësi të shtuar për të vepruar me maturi dhe korrektësi në interes të Universitetit, dhe jo ta shfrytëzoni mbështetjen tonë që me sjellje arrogante dhe logjikë inatesh të akuzoni në mënyrë oportune të tjerët, për të ngritur imazhin tuaj publik. Të jeni të bindur, që qasje të tilla nuk na bëjnë nder askujt nga ne, e më së paku Universitetit. Urdhëroni, z. Rektor, shfrytëzoni këtë mbështetje tonë si një mundësi për të punuar fort për përmirësim të cilësisë së studimeve dhe shërbimeve të Universitetit, dhe në këtë formë për të ju dhënë të rinjve shembull të mirë se si duhet të sillet një intelektual dhe akademik.

Nesër do të filloj viti akademik për mijëra studentë të Universitetit, ndërsa ne ka dy ditë që shohim me keqardhje se si rreth 30 të rinj ka dy netë që i kalojnë jashtë, përballë Rektoratit të Universitetit. Ngjashëm ndjej keqardhje të thellë që padrejtësisht, juve ju pamundësohet dje qasja në vendin tuaj të punës. Prandaj, përkundër keqkuptimeve që mund të kenë këta të rinj, ju lutem të angazhoheni me gjithë potencialin tuaj që të tejkaloni këtë situatë, sepse, universiteti nuk ka nevojë më tutje për situata të tilla dhe as ju nuk e meritoni këtë.

Gjithë të mirat,

Arsim Bajrami”, përfundon përgjigjja e ministrit Bajrami.