Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 20:39

Për Republikën Federative të Gjermanisë, përfundimisht, Kosova është vend i sigurt i origjinës për emigrantët.

Kjo u kuptua të enjten mbrëma, nga një debat i gjatë me gazetarë i kancelares gjermane Angela Merkel dhe guvernatorëve të 16 shteteve gjermane, raporton KTV.

“Ne si qeveri gjermane dhe të gjitha landet gjermane jemi duke u përballur me vështirësi të konsiderueshme. Numri i madh i emigrantëve na ka shtyrë që të bëjmë lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave si dhe të shpërndajmë barrën financiare mes nesh. Po ashtu, të gjithë janë pajtuar që në kuadër të shteteve të sigurta të përfshihen edhe Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi”, ka thënë kancelarja Merkel.

Por, ende nuk është e qartë se sa do ta rrisin ritmin e kthimit të emigrantëve këto vendime të reja të qeverisë gjermane.

Ndërkohë që Valon Krasniqi nga Ministria e Brendshme, pohon që Departamenti për Migracion e Azil që ai e udhëheq, i ka shtuar kapacitet e tij prej kohësh.

Tashmë është përsëritur disa herë që të riatdhesuarit nuk do të përfitojnë asgjë nga shteti.

Aq më tepër që shumica dërmuese nga ta, i kanë shtëpitë dhe të afërmit e tyre në Kosovë.

Vetëm këtë vit, në Gjermani kanë kërkuar azil mbi 800 mijë njerëz, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Ballkanit.

Ndërsa, opinionet e publikut gjerman kanë qenë të ndara, mes atyre që përkrahin idenë e mikpritjes së emigrantëve dhe atyre që ngulmojnë në kthimin e pakusht të tyre.