Lajme Shqip Saturday, 31 October 2015 17:09

Pensionet kontributdhënëse do të rriten nga muaji janar e madje edhe do të kategorizohen. Do të ketë nga 160 deri në 250 euro, këtu varet arsimimi dhe vitet e punës.

Kështu bënë të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Arban Abrashi në një intervistë për lajmi.net.

Ndërsa, pensionet jo kontributdhënëse nuk do të mund t’i marrin ata që nuk jetojnë në Kosovë. E nga kjo do kursehen deri në 18 milionë euro të buxhetit të vendit.

Kur flet për skemën sociale, Abrashi bënë të ditur se tashmë janë larguar 2 mijë familje të cilët kanë pasur të hyra të tjera e edhe po aq familje të tjera pritet të largohen.

Abrashi e pranon se ka qindra persona që janë në skema të ndryshme sociale e që janë të aftë për punë, por refuzojnë të punojnë. Për këtë, do bëhet një Ligj që nëse refuzojnë më shumë se dy herë, të largohen edhe nga skema sociale në të cilën gjenden.

Për lajmi.net ai thotë se buxheti për social ka mbetur i njëjti nuk është ulur, vetëm se kanë ndryshuar menaxhimin e tij.

“Janë larguar rreth 2 mijë familje nga skema sociale, kjo duke u plotësuar kriteret, ka pasur nga ata që kanë pasur të hyra në familje apo kanë qenë të punësuar. Rreth 2 mijë familje janë ende në lista edhe pse kanë të hyra apo punojnë e kjo e rëndon buxhetin që ata të jenë ende në skemën për social dhe do hiqen nga ato lista”, bënë të ditur Abrashi për lajmi.net.

Kur flet për Komunat ku ka më së shumti familje që janë në skemat sociale, thotë se janë Skenderaj, Mitrovica, Drenasi e edhe Prishtina, kjo e fundit ngase e dhe ma shumë banor.

Abrashi shpjegon se po bëjnë ndryshime ligjore, për ata që janë të aftë për punë e nuk duan të punojnë.

“Ka që që janë të aftë për punë dhe janë në skemën sociale, zyrat e punësimit u kanë ofruar punë qoftë afatshkurta apo afatgjatë, janë qindra raste që ata kanë refuzuar, por mbetët të shohim çfarë të bëjmë. Do bëjmë ndryshime ligjore, ngase nuk mund të suspendohen, por do e bëjmë që nëse dikush merr asistencë sociale dhe nëse dy herë ftohet për punë dhe e refuzon do të largohet nga skema sociale çfarë do qoftë ajo. Kjo është edhe në praktikat më të mira evropiane”, thotë ai.

Kur flet për pensionet tregon se kategorizimi i pensioneve kontributdhënëse do të bëhet nga janari që po vjen.

“Pensionet që tashmë janë 140 euro do të jenë shuma të tjera, dhe do ketë nga 160 deri në 250 euro. Kemi marr edhe grante shtesë që t’i plotësojmë ato ndryshime. Do të merret parasysh vitet e punës dhe arsimimi. Po punojmë ngushtë me të gjithë të përfshirët, që të caktojmë saktësisht shumën, dhe jemi 90% afër, do e përfundojmë deri në fund të nëntorit”, ka thanë ai për lajmi.net.

Sa i përket pensioneve jo kontributdhënëse, janë duke punuar që së pari mos të quhet të tilla e pastaj të hiqen nga lista të gjithë ata që marrin këto para e që nuk jetojnë në Kosovë. Këtu do kursehen shumë para të buxhetit të shtetit.

“Ajo që po ndodh është se kushdo që ka letërnjoftim në Kosovë dhe ka moshën mbi 65 vjeç marrin këtë shumë dhe nuk jetojnë që shumë kohë në Kosovë. Ajo do hiqet e pritet që të kursehen nga 9 deri në 18 milionë euro”, thotë Abrashi.

Ndryshe, në ditën ndërkombëtare të luftës për zhdukjen e varfërisë, Qeveria ka marr vendimin ku ka bërë ngritjen e shumës së komentimit të asistencës së familjeve me asistencë sociale. Ky vendim prek deri në 26 mijë familje, me rreth 115 mijë anëtarë./ lajmi.net.