Lajme Shqip Monday, 27 July 2015 20:30

Kuvendi i Kosovës në fund të javës do të ri procedojë amendamentin për ndryshimet kushtetuese që do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Sipas burimeve të Gazetës Express, Kryeministri Mustafa ka mbledhur sot në takim kabinetin qeveritar për të diskutuar për këtë çështje

Zëdhënësi i Qeverisë Arban Abrashi ka thënë se ende janë duke bërë përpjekje për t’i siguruar votat. Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, ka thënë për Express se procesi i themelimit të Gjykatës Speciale duhet të përfundojë sa më shpejt.

“Qeveria është duke punuar që të sigurohen votat, dhe kjo çështje të përfundojë në Kuvend”.

Në anën tjetër, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, në një prononcim për Express ka thënë se deputetët janë duke pritur që Qeveria të ri- procedojë amendamentin dhe Kryesia e Kuvendit ta merr vendimin.

“Ende nuk ka ardhur ftesa nga Qeveria- por kur ata të jenë gati që mund të jetë nesër, pasnesër nuk do të ketë pengesë që Kuvendi të fillojë procedurat administrative” ka theksuar ai.

Haliti ka thënë se PDK gjatë gjithë kohës është duke diskutuar me deputetët, 8 prej të cilëve kanë qëndrim të luhatshëm dhe kanë vendosur të heshtin se si do të votojnë, nëse riprocedohen ndryshimet kushtetuese.

Shefi i Grupit Paralamentar, Adem Grabovci ka thënë se vetëm tre deputetë do të votojnë kundër kurse të tjerët sipas tij kanë reflektuar.

Në anën tjetër, Zv. Kryeministri Hashim Thaçi, ka kërkuar nga deputetët që të mos shkojnë në pushim vjetor pa u votuar Gjykata Speciale. Data për pushimet e deputetëve fillon nga 1 gushti deri në javën e tretë të muajit shtator.

“Nëse kalon në Kuvend Gjykata Speciale, atëherë deputetët do të shkojnë në pushime”, tha Haliti për Express.

Kurse kundër Gjykatës janë deklaruar deputetët e Vetëvendosjes, AAK’së dhe NISMA’s për Kosovën