Lajme Shqip Tuesday, 28 July 2015 17:50

Burime brenda koalicionit qeveritar bëjnë me dije se liderët e PDK-së dhe LDK-së nuk janë të kënaqur me performancën e disa ministrave në kabinetin qeveritar. Po ashtu, një arsye e fortë për këtë hap është edhe marrëveshja e partnerëve të koalicionit, sipas të cilës, Thaçi do të bëhet President.

Të paktën katër ministra priten të jenë pjesë e rotacionit.

Sipas burimit brenda koalicionit, dy ministra do të jenë të PDK-së dhe dy të LDK-së.

“Po mendohet seriozisht për ndryshime në të paktën katër ministri. Ky disponim është edhe tek PDK, por edhe tek LDK”, thekson burimi brenda koalicionit qeveritar, raporton Klan Kosova.

Por, ky veprim mund të konkretizohet tek pas themelimit të Gjykatës Speciale, zotim ky i dhënë para partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Një herë duhet të kalojë Gjykata Speciale. Kjo javë nuk është data e fundit, por është mirë që të kryhet sa më shpejt që është e mundur. Pastaj bëhet riformatimi. Nuk dihen ende emrat, mund të jetë secili”, tha ky burim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka hedhur poshtë mundësinë e riformatimit në një periudhë të afërt kohore.

“Nuk është e vërtetë. Riformatimi mund të ndodhë vetëm në momentin kur lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, do të bëhet president. Ministrat duhet të kenë më shumë kohë për ta dëshmuar veten në punë”.

“Tani për tani nuk është folur për riformatim të kuadrove në ministri”.

Nëse dy liderët nuk do të ndërmarrin një veprim konkret në shtator, atëherë gjithçka do të vendoset gjatë muajit shkurt, pak para se Hashim Thaçi të votohet për president nga Kuvendi i Kosovës, merr vesh Klan Kosova.

Në këtë rast, vakante do të mbetej pozita e kryediplomatit të Kosovës. Pozita e Ministrit të Jashtëm sipas këtij burimi mundë t’i jepet LDK-së, në një rotacion përgjegjësish.

Në një rast të tillë, sipas burimit, PDK do ta merrte pozitën e Ministrit të Brendshëm.

Dy resore kanë më shumë gjasa të pësojnë rokadë: Ministri i Kulturës dhe Ministri i FSK-së. /Klan Kosova/