Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 08:19

Kuvendi i Kosovës pritet sërish që sot të përballet me “betejën” e radhës së opozitarëve, të cilët me çfarëdo forme do ta pamundësojnë zhvillimin e punimeve të legjislativit, ku nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të gazit lotsjellës dhe përleshjes në mes ligjvënësve.

Spektri politik opozitar që tashmë është bashkuar në një front të përbashkët nuk lëkundet nga qëndrimet e veta, për të bllokuar punën e Kuvendit.

Pavarësisht se janë dhënë sinjale se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, një nismë e tillë nuk pritet t’i zmbrapsë opozitën rreth zhbllokimit të punës së Kuvendit, shkruan ‘Zëri’.

Opozita thonë se nuk u beson vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sipas këtij blloku, vetëm nëse tërhiqen marrëveshjet e arritura atëherë mund të vazhdojë puna në Kuvend.

Zyrtarë të “Vetëvendosjes” deklarojnë se iniciativa eventuale e presidentes Jahjaga për ta dërguar në Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes për “Zajednicën”, siç e quajnë nuk do t’i tërheqë nga bllokada e punës së Parlamentit.

“Gjykata Kushtetuese është institucion i kapur nga pushteti. Ne nuk besojmë në kredibilitetin dhe legjitimitetin e këtij institucioni. Pranueshmërinë e lëndëve dhe vendimet e saj, kjo gjykatë i merr në bazë të interesave partiake të partive në pushtet e jo në bazë të Kushtetutës së vendit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie.