Lajme Shqip Monday, 27 July 2015 13:01

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani konsideron se Qeveria po vonohet sa i përket riprocedimit në Kuvend të amandamentit 24 që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Me një ndërhyrje të vogël teknike, amandamenti 24 që mori votë kundër nga Kuvendi i Kosovës javë më parë, ka mundur të ri-procedohet pa humbur shumë kohë. Kështu mendon deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një bisedë për Radio Kosovën, thotë se tek amandamenti 24 duhet një ndërhyrje teknike, sepse ekziston një gabim tek referenca në paragrafe dhe pastaj procedimi i tij në Kuvend, do të ishte proceduralisht në rregull.

 “Meqenëse ky do të paraqiste amandament të ri, ta riprocedojnë amandamentin përsëri në Gjykatë Kushtetuese e cila nuk do të merrte shumë kohë, sepse është vetëm një ndryshim teknik, dhe prapë ta sillnin në kuvend. Meqenëse është amandament i ri kushtetues, përkundër faktit që është një ndryshim i vogël, procedura është krejtësisht në rregull sepse amandamenti i ri mund të procedohet dhe s’ka asgjë që e ndalë”, tha Osmani për Radio Kosovën.

Osmani thotë se në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka humbur shumë kohë që prej seancës kur amandamenti 24 nuk i mori votat e nevojshme në Kuvend.

Gjithsesi, vonesa e riprocedimit të amandamentit që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, është edhe si rezultat i mungesës së votave. Janë disa deputetë të PDK-së, që e kanë pamundësuar themelimin e kësaj gjykate me votën e tyre kundër.

Sidoqoftë, lidershipi i PDK-së, po bën përpjekje që t’i bindë deputetët kundërshtues që të ndryshojnë qëndrimin. Por, deputetja Vjosa Osmani dyshon në këto përpjekje.

 “Unë nuk jam e sigurt nëse PDK-ja po bën përpjekje serioze që t’i bindë deputetët e vetë që ta votojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare, megjithatë mbetet të shihet nëse do të kemi ndonjë sukses që të arrihen votat e nevojshme. Kjo duhet domosdoshmërisht t’i takojë vullnetit të lirë të deputetët dhe jo që votimi apo rezultati të jetë rezultat i ndonjë trysnie apo ndonjë kërcënimi, sepse deputeti ka mandatin e lirë dhe jo detyrues”, tha Osmani.

Përndryshe, sa i përket pretendimit të opozitës se çështja e Gjykatës Speciale ka devijuar nga letërkëmbimi i presidentes Atifete Jahjaga me baroneshën Catherine Ashton, Osmani thotë se pika e vetme e ndryshuar nga letërkëmbimi është çështja e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas saj, Gjykata Speciale mund të lidhë marrëveshje ndërkombëtare vetëm për çështje të caktuara penale.

Ndërsa çështjet tjera, siç janë themelimi i dhomave të specializuara jashtë vendit, përcaktimi që procedurat e ndjeshme të mbahen jashtë vendit, krijimi i instancave të veçanta në të gjitha nivelet gjyqësore, deri te Gjykata Kushtetuese, përfshi edhe faktin që të gjitha gjyqtarët do të jenë ndërkombëtarë, sipas Osmanit, kanë qenë të parapara në marrëveshjen ndërkombëtare që është miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar.