Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 08:54

Tri partitë politike që kanë krijuar tashmë frontin opozitar vazhdojnë ta sfidojnë kryeministrin Kosovës, Isa Mustafa, për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të fundit, madje thonë se aksionet e tyre në Kuvend dhe jashtë tij, do të intensifikohen.

 Opozitarët po ashtu kundërshtojnë çdo përpjekje të presidentes Atifete Jahjaga në këtë proces, në rolin e ndërmjetëses. Kjo e fundit në një emision televiziv ka thënë se është e gatshme ta luajë rolin e unitetit edhe në rastin pozitë-opozitë.

Muharrem Nitaj, nga Zyra për informim e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar për “Zërin” se opozita do të pengojë zhvillimin e seancës plenare derisa të mos ketë reflektim nga Qeveria për marrëveshjet.

“Opozita do të bëjë krejt çka është në dorën e saj që ta pengojë zhvillimin e seancës plenare derisa të mos ketë një reflektim nga Qeveria për marrëveshjet. Këto marrëveshje nuk mund të jenë çështje e Qeverisë. Ato u përkasin të gjithëve. Opozita është unike në frontin e përbashkët për ta ndalur degradimin e qeverisjes së keqe të këtij vendi. Kryeministri i ka dy zgjidhje. Ose të gjejë modalitetet e tërheqjes së marrëveshjeve, ose të japë dorëheqje vetë”, ka deklaruar Nitaj.

I pyetur për një zgjidhje të duhur, a do të ishte i nevojshëm ndërmjetësimi i presidentes Jahjaga, Nitaj është shprehur skeptik nëse do të kërkohej ndërmjetësimi i saj. Ai ka thënë se liderët në pushtet do të duhej të gjenin zgjidhje. /Zeri