Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 19:27

Blloku opozitar VAN kohëve të fundit vazhdimisht ka paralajmëruar se shumë shpejtë pritet të organizojë protesta masive përmes të cilave do të kërkojë anulimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Lajmi.net, nga burime brenda bllokut opozitar, ka mësuar se këto protesta po planifikohet të fillojnë nga mesi i muajit të ardhshëm.

Ndërsa, arsyeja pse ato nuk kanë ndodhur deri më tani, është se këto parti nuk janë ende të sigurta se do të jenë në gjendje të nxjerrin në rrugë numër të madh të qytetarëve. Dhe për këtë sipas këtij burimi, po përdoren dhe do të vazhdojnë të përdoren metoda të cilat do të sillnin situata që nxisin disponim anti-qeveritar, në mënyrë që kur të fillohet me protesta, ato të mund të nxirrnin në rrugë numër sa më të madh të qytetarëve.

“Deri në kohën e thirrjes së protestave do të ketë nxitje të incidenteve dhe forma të ndryshme të tentimit të ngritjes së tensioneve”, ka thënë ky burim, duke shtuar se protestat parashihet të thirren nga mesi i muajit të ardhshëm.

Në anën tjetër, në Vetëvendosje, njëra nga partitë kryesore të bllokut të sapozyrtarizuar opozitar, edhe pse e pranojnë se janë duke bërë përgatitje për protesta, e mohojnë se kanë caktuar datë për fillimin e tyre.

“Momentalisht jemi duke mbledhur nënshkrimet për peticionin dhe ky është aktiviteti në të cilin jemi fokusuar”.

“Po ashtu jemi duke organizuar takime me qytetarë në qytetet e fshatra që të kemi një përgatitje sa më të madhe për protestën”.

“Se kur do të mbahet protesta ende nuk kemi caktuar kohë, dhe se zërat se do të mbahet në mes të tetorit janë spekulime. Ne po presim të përfundoj aksioni I peticioneve brenda pak ditëve dhe pastaj do të shohim”, ka thënë Frashër Krasniqi zëdhënës i Vetëvendosjes.