Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 15:11

Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Isa Mustafa duhet të japin përgjigje për të dalë nga situate që është krijuar nga marrëveshjet në Bruksel, si dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.

Ndryshe, ai thotë se është e mundur të përsëritet situata e njëjtë si në seancën e kaluar.

“Opozita e ka bërë një kërkesë konkrete dhe shumë të qartë. Qeveria dhe Kryeministri duhet ta japin një përgjigje për të dalë nga situata e krijuar me marrëveshjet. Ata duhet t’i japin zgjidhje kësaj çështjeje dhe të mos bëhen shkaktar të situatave komike në Kuvend. Në rast se nuk ndodhë asnjëra prej këtyre, atëherë është e mundur që të përsëritet e njejta situatë si në mbledhjen e kaluar”, ka thënë Nitaj për Indeksonline.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet të tregohet transparente dhe të thotë nëse do t`i korrigjojë marrëveshjet.

“Nuk mund të kalohet kjo situatë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Qeveria duhet të jetë transparente e të thotë nëse do t’i korrigjojë marrëveshjet, nëse ato do t’i sjell në Kuvend për ratifikim, apo nëse preferon që këtë çështje ta zgjidhë përmes një tryeze politike të liderëve politikë. Kryeministri duhet ta vrasë mendjen për këtë”, ka theksuar ai.

Sipas Nitajt, normalitetin në Kuvend e ka në dorë shumica parlamentare, e jo opozita.