Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 14:26

Tiranë – Sokol Olldashi, kandidat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë u takua me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Ersekë dhe në Leskovik.
Olldashi sulmoi kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, duke thënë se ai ndërton pushtet klientelist dhe të korruptuar.
“Duhet të përcaktojmë disa kufij politikë dhe t’u japim qytetarëve një kartë morale të fortë opozitare. Opozita është moral dhe jo numra në parlament. Nëqoftëse ne do të jemi në gjendje t’ju ofrojmë qytetarëve këtë, jam i bindur se ne do të shndërrohemi shumë shpejt në shumicë. Përmes një veprimi shumë të fortë opozitar, përmes një veprimi shumë të qartë opozitar, përmes fokusimit në problemet reale që ka ky vend.
Kemi përballë mazhorancën e Edi Ramës, një njeri i provuar që ndërton vetëm pushtet klientelist dhe të korruptuar. Kemi pjesë të pushtetit të Edi Ramës dhe vektorin e Ilir Metës, që nuk është as parti politike, as formacion politik, por është një çetë hajdutësh,” tha Olldashi.
Olldashi bëri thirrje për një bashkim opozitar.
“Ne duhet të bashkojmë çdo opozitar. Të vijë këtu çdo njeri që është i gatshëm të përballet me qeverinë e Edi Ramës. Duhet të jetë pjesë e jona çdo njeri që është i gatshëm të veprojë dhe te funksionojë si opozitar,” theksoi Olldashi.
Në referencë të garës elektorale, Olldashi tha se Partia Demokratike do të aplikojë një paketë ristrukturimi bazuar në mekanizma që do të forcojnë jetën e brendshme politike.