Lajme Shqip Saturday, 29 August 2015 22:17

Objekti i ri i Ministrisë së FSK’së, është duke u shkatërruar. Në këtë objekt që është inauguruar vetëm 9 muaj më parë, po pikon uji e po çahen muret. Investimi i mbi 5 milionë e 700 mijë eurove duket se nuk ka mjaftuar që objekti t’i qëndrojë kohës. Disa foto të siguruara nga Gazeta Express të bërë 10 ditë më parë, tregojnë se sa herë që bije shi këtë objekt e vërshon uji.

Shiriti i ishte prerë me 28 nëntor të vitit 2014, datë kjo që njihet edhe si “Dita e Forcës”. Gërshërët ne duar në atë kohë, për ta bërë prerje e “shiritit simbolik” i kishte marrë ish-ministri Agim Ceku. Derisa fjalë të mëdha patën thënë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahhjaga, ish-kryeministri Hashim Thaçi e ish-gjenerali i FSK Gani Kastrait.

“Tani na janë ofruar kushtet e shkëlqyeshme për punë, hapësira të mjaftueshme dhe moderne. Të nderuar kolegë, jam i sigurt që do të ndiheni mirë duke punuar në këtë ndërtesë. Për më shumë, duke pasur një ndërtesë moderne, ju do të keni më shumë mundësi të përqendroheni, më lehtë, në detyrat e juaja dhe do ti kryeni ato me më shumë sukses” pati thënë Agim Ceku.

Por, tani kur kanë kaluar hiq më shumë se nëntë muaj, fjalët e thëna dhe shkëlqimi i objektit janë zbehur.

Tash në këtë objekt 6 milionësh po pikon uji sa herë që bie shi. Derisa muret jashtë janë duke u plasaritur kohë pas kohe.

Gjendjen e tij e tregojnë edhe disa fotografi të siguruara nga Gazeta Express të bërë 10 ditë me parë në brendësi të këtij objekti.

Gazeta Express ka kërkuar përgjigje e nga Ministria e Forcës së Sigurisë tani e disa ditë, por në këtë institucion nuk kanë thënë asnjë fjalë për pyetjet dërguara.

Objekti i Ministrisë së Forcës së Sigurisë ka një sipërfaqe prej 100.00 metrave katrorë dhe ka kushtuar mbi 5 milionë e 700 mijë euro, të paguara nga buxheti i shtetit../Gazeta Express/.