Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 08:54

Përplasjet në mes të partive në pushtet dhe opozitës, që në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Kosovës shpërthyen me gjuajtjen me vezë të kryeministrit Isa Mustafa, derisa ai po raportonte për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, duket se do të vazhdojnë ta mbajnë peng punën e institucionit më të lartë legjislativ të vendit.

Ngërçi parlamentar tashmë duket të jetë në derë nëse opozita nuk heq dorë nga qëndrimet e saj, pasi tashmë opinioni është i bindur se pozita në Kosovë nuk lëshon pe, gjë që u pa edhe pas zgjedhjeve të fundit me bllokadën gjashtëmujore institucionale.

Opozita ka paralajmëruar se do ta mbajë të bllokuar punën e Kuvendit deri sa kryeministri Mustafa ta tërheq nënshkrimin mbi marrëveshjet fundit të arritura në Bruksel, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kryeministri tha theksuar në mënyrë të prerë se nuk ka kthim prapa.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje!, Frashër Krasniqi, ka thënë për KosovaLive se si opozitë e bashkuar do të pamundësojnë funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel dhe të asaj për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Vjenë më 26 gusht, me të cilën Kosova, sipas opozitës humb 12 mijë hektarë tokë.

“Me marrëveshjet e fundit në Bruksel. Sidomos me atë për Asociacionin e komunave serbe pamundësohet funksionimi i shtetit të Kosovës, e si pasojë, nuk ka kuptim ta aktrojmë normalitetin në Kuvendin e Kosovës.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reflektojë mbi këtë situatë dhe që sa më parë t’i tërheq nënshkrimet nga ato marrëveshje. Vetëm pasi të ndodh një gjë e tillë, mund të ulemi e të bisedojmë mbi një platformë të përbashkët shtetërore për sanimin e dëmeve që ia ka shkaktuar shtetit të Kosovës një qeverisje e tillë”, ka thënë Krasniqi.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë përKosovaLive se partia e tij nuk është e interesuar që të bllokojë Kuvendin, por se presin një reflektim nga ana e kryeministrit Mustafa.

“Ne presim reflektimin e kryeministrit dhe gjetjen e modaliteteve qe marrëveshjet e nënshkruara të riformulohen dhe të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërkaq marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të korrigjohet duke iu kthyer Kosovës toka që i është marrë me këtë marrëveshje. Kjo është zgjidhja”, ka thënë Nitaj.

I pyetur nëse kanë pasur ndonjë ftesë nga kryeparlamentari Kadri Veseli për ndonjë takim tjetër, ai ka thënë se nuk ka pasur një të tillë, përveç ftesës publike që është bërë në seancën e së martës.

Të rikujtojmë se skandali i hedhjes së vezëve në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa nga deputetët e opozitës, u bë në momentin kur ai tha se marrëveshjet që po i konteston opozita janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Opozita e ka quajtur kryeministrin “gënjeshtar dhe mashtrues”, ndërsa ka kërkuar që të tërheq nënshkrimet nga ato marrëveshje. Acarimi i situatës nxorri nga loja përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për ta vazhduar seancën, për vazhdimin e së cilës nuk u caktua ndonjë datë.